Hasi përcakton zonat zhvillimore, shtohet interesi për investime në kuadër të Paketës së Maleve

Turizëm | 4 muaj më parë

Bashkia Has ka përcaktuar disa harta dhe zona zhvillimore ku pritet të zbatohet Paketa e Maleve, duke krijuar mundësi të reja për investime dhe zhvillim ekonomik. Interesimi për të aplikuar në këtë program ka qenë i pranishëm, pasi ai synon të nxisë investimet dhe të shfrytëzojë potencialet e zonave malore.

“Ne si bashki kemi propozuar disa harta si zona zhvillimore në varësi të objektit të zonës. Aty ku është zonë zhvillimore për turizëm e kemi çuar për turizëm. Ku është zonë zhvillimore për zhvillimin e energjisë me erë ose me diell e kemi çuar. Për këtë shërbim e kemi çuar për tokat bujqësore dhe këto harta sot janë te Ministria e pushtetit vendor”, u shpreh Miftar Dauti, Kryetar i Bashkisë Has.

Kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, ka bërë thirrje veçanërisht për emigrantët me origjinë nga Hasi që të aplikojnë dhe të përfitojnë nga mundësitë që ofron kjo nismë për të investuar në vendlindjen e tyre.

“I bëj thirrje çdo banorit të Hasit, qoftë në Has, qoftë në diasporë, të aplikojnë nëpërmjet projekteve të tyre që ne të zhvillojmë territorin tonë”, tha ai.

Paketa e Maleve shihet si një mundësi e rëndësishme për rigjallërimin ekonomik të zonave malore, duke nxitur investimet, zhvillimin e agroturizmit dhe kthimin e emigrantëve drejt projekteve që krijojnë vlerë dhe punësim në komunitetet lokale.

 Gazetare: Shkurte Elezaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme