Krimea kufizon përdorimin e motoçikletave: Zhurma e tyre ngjason me të sulmeve me dronë
Duke nisur nga kjo e mërkurë e në vazhdim, motomjetet si skuterët apo motoçikletat do të ndalohen të përdoren gjatë natës në Krime.
Sipas autoriteteve të Moskës të instaluara në gadishullin ukrainas të pushtuar nga Rusia në vitin 2014, zhurma e motorëve të tyre ngjason me atë të sulmeve me dronë.
Sergei Aksyonov, guvernatori i gadishullit bëri me dije se kjo masë do të jetë e përkohshme me qëllim ruajtjen e objekteve ushtarake dhe objektet e tjera të rëndësishme dhe do të jetë në fuqi çdo ditë mes orës 20.00 të mbrëmjes dhe 06.00 të mëngjesit.
“Zhurma e tyre pengon punën e sistemeve të mbrojtjes ajrore.”- deklaroi një zyrtar vendor i Krimesë.
Masa e ndalimit në destinacionin e njohur turistik veror për rusët nuk vlen për makinat ose automjetet e mëdha. Ukraina kohët e fundit ka intensifikuar sulmet me dronë në Krime, ku ndodhet Flota Ruse e Detit të Zi, ndërsa në shënjestër janë rrugët e furnizimit me karburant të gadishullit, i cili po vuan mungesën e tij ndërsa ka nisur sezoni veror.
Të martën, Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se Rusia duhet të bëjë paqe me Ukrainën, pas një takimi që ai e cilësoi shumë të mirë me homologun Volodymyr Zelenskiy në Francë, ndërsa deklarata e tij nxiti optimizëm mes liderëve të G7-s se mund të arrihet një marrëveshje paqeje mes dy vendeve.
Por pavarësisht këtij optimizmi, dy palët kanë vijuar sulmet e ndërsjella me dronë dhe raketa.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




