I shpallur në kërkim për vrasjen e çiftit Mujeci në Balldren, arrestohet në Ulqin dhe ekstradohet në Shqipëri 40-vjeçari

Aktualitet | 5 muaj më parë

Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim është arrestuar në Ulqin të Malit të Zi dhe më pas është ekstraduar drejt Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve policore malazeze. 40-vjeçari Besnik Kolndreu, akuzohet për përfshirje në ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur më 26 prill 2026 në fshatin Balldren, ku 39-vjeçari Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, Gentjana Mujeci, mbetën të vrarë pasi u qëlluan nga breshëri plumbash brenda në automjet.

Pas arrestimit nga policia malazeze, shtetasi shqiptar është deportuar në Pikën e Kalimit Kufitar të Muriqanit, ku i është dorëzuar Policisë Kufitare shqiptare dhe më pas është shoqëruar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

Sipas autoriteteve, 40-vjeçari ishte shpallur në kërkim në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lezhës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në kuadër të hetimeve për ngjarjen ku më 26 prill 2026 në Balldren u vranë me armë zjarri dy bashkëshortë, K. M. dhe G. M. Nga hetimet ka rezultuar se i dyshuari ka ndihmuar autorët e krimit duke fshehur në banesën e tij automjetin e përdorur pas ngjarjes, i cili është gjetur dhe sekuestruar nga policia gjatë kontrolleve të ushtruara.

“Falë informacionit të siguruar nga Policia e Shtetit për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, si dhe shkëmbimit në kohë reale të informacionit me autoritetet policore malazeze, Policia e Malit të Zi lokalizoi dhe kapi në Ulqin një shtetas të kërkuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren. Menjëherë pas kapjes, shtetasi u deportua në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, ku iu dorëzua shërbimeve të Policisë Kufitare shqiptare dhe më pas u shoqërua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

Në vijim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në DVP Lezhë, u bë ndalimi i shtetasit B. K., 40 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lezhës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në kuadër të hetimeve për ngjarjen e ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren, ku u vranë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe G. M., bashkëshortë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi B. K. dyshohet se ka ndihmuar autorët e kësaj ngjarjeje, duke fshehur në banesën e tij automjetin e përdorur prej tyre pas kryerjes së krimit. Automjeti u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të hetimeve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme procedural”, thuhet në njoftim.

NGJARJA

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:50 të 26 prillit në rrugën Balldren-Torrovicë, kur çifti Mujeci po kthehej në shtëpi pas një dreke në Lezhë. Autorët që i kishin ndjekur, i zunë pritë dhe qëlluan me breshëri mbi “Audin Q7” me të cilën udhëtonin duke i lënë të vdekur në vend. Autorët vepruan me dy automjete dhe ishin të pamaskuar, çka ka bërë të mundur identifikimin e tyre nga policia.

Për këtë vrasje, policia ka shpallur në kërkim Adriano Mhillaj, 22 vjeç, Florin Mhillaj, 36 vjeç dhe Renato Mhillaj, 23 vjeç. Sipas autoriteteve, Renato Mhillaj, djali i Genc Mhillit, i vrarë 10 vite më parë, ka marrë hakun e të atit, pasi për ngjarjen akuzohej edhe Kreshnik Mujeci.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme