Avokati i Popullit nis hetimin e veprimeve të policisë ndaj protestuesve, takon aktivistët e proceduar

Aktualitet | 5 muaj më parë

Avokati i Popullit, Endrit Shabani, priti sot një grup aktivistësh të cilët kanë ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar dhe ndaj të cilëve, policia ka nisur procedime penale. Mbi bazën e ankesës së tyre, institucioni ka nisur verifikimin e veprimeve të deritanishme të policisë.

Aktivistët pretendojnë se procedimet ndaj tyre janë të pabazuara dhe synojnë dekurajimin e të drejtës së tyre për të protestuar.

Avokati i Popullit po vlerëson nëse këto veprime të policisë përmbushin parimet e proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Nenit 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“E drejta për të protestuar paqësisht është e drejtë themelore dhe duhet garantuar me çdo kusht. Kur policia procedon qytetarë vetëm sepse protestuan, barra e provës nuk është tek protestuesit por te policia, e cila duhet të vërtetojë që ata realisht kanë shkelur ligjin”,-deklaroi Shabani.

Avokati i Popullit do të vijojë hetimin administrativ ndaj sjelljes së policisë për tu siguruar se në çdo rast e drejta për tubim të mos cenohet.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme