Kuvendi miraton Amnistinë Penale me 84 vota, opozita bojkoton, lirohen 466 të dënuar, Lamallari: Hap drejt politikës evropiane

Aktualitet | 5 muaj më parë

Pas bllokimit të foltores për afro katër orë nga ana e opozitës, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në seancën e pasdites projektligjin për amnistinë penale. Në votim mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, ndërkohë që ligji kaloi me 84 vota pro. Deputetët e opozitës, të cilët nuk lejuan fillimisht zhvillimin normal të seancës, nuk ishin të pranishëm në sallë gjatë procesit të votimit të rendit të ditës.

Miratimi i këtij akti ligjor i hap rrugën lirimit të menjëhershëm nga qelitë për 466 persona, mes të cilëve 11 gra dhe 1 i mitur. Krahas tyre, sipas të dhënave të raportuara, 869 të dënuar të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Në këtë kategori të dytë përfituesish përfshihen 8 gra dhe 1 i mitur.

Reagimi i Ministrit të Brendshëm

Lidhur me këtë zhvillim parlamentar ka reaguar Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili përmes një qëndrimi publik ka theksuar rëndësinë e risocializimit të të dënuarve. Ministri nënvizoi se këto kategori nga ky moment kanë nevojë për pranimin dhe mbështetjen e shoqërisë, pa u përballur me gjykim dhe stigmatizim.

Sipas ministrit, miratimi i amnistisë, e cila kaloi në Këshillin e Ministrave në muajin janar, “është një lajm i mirë dhe i shumëpritur për shumë familje shqiptare, të cilat do të kenë pranë tyre njerëzit e dashur, përfshi kryefamiljarë, gra dhe të mitur”.

Për sa i përket filozofisë së kësaj nisme dhe synimeve të qeverisë për t’u përafruar me standardet evropiane, Lamallari shtoi:

“Amnistia buron nga humanizmi dhe besimi i shoqërisë dhe institucioneve tek forca e ringritjes dhe kontributit të individit mbi një mundësi të dytë dhe jo ndëshkimit apo stigmatizimit të tij, e cila mishërohet përmes vullnetit të qeverisë shqiptare e udhëhequr nga vizioni për një politikë penale e cila duhet të shkëputet nga e shkuara me një natyrë thelbësisht represive dhe të përqafojë mendësinë dhe vlerat evropiane në një rrugëtim pa kthim të integrimit të vendit, qytetarëve dhe institucioneve shqiptare në gjirin e Evropës së bashkuar brenda 2030”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme