Andy Burnham pas fitores në Makerfield: Rezultat i një ndryshimi të madh

Pas fitores në zonën e Makerfield për Partinë Laburiste, kryetari i Bashkisë së Mançesterit të Madh, Andy Burnham, i është drejtuar mbështetësve të tij në Ashton-in-Makerfield, duke falënderuar qytetarët dhe ekipin e fushatës për mbështetjen gjatë gjithë procesit elektoral. Burnham u shfaq i shoqëruar nga bashkëshortja e tij teksa iu afrua turmës së mbledhur, ku shumë prej mbështetësve mbanin pankarta të kuqe me mbishkrimin “Andy for Us”, në shenjë mbështetjeje për të.
Në fjalën e tij, ai vlerësoi zonën e Makerfield dhe qytetarët e saj për angazhimin dhe mbështetjen gjatë fushatës. Ai theksoi se fitorja në zgjedhjet e pjesshme ishte rezultat i një lëvizjeje më të gjerë shoqërore dhe politike, duke vënë theksin te roli i grave në veri të vendit. “Këto zgjedhje të pjesshme u fituan nga një grup grash të forta dhe me pushtet në veri”, deklaroi ai.
Burnham vlerësoi gjithashtu vendimin e ish-deputetit të Makerfield, Josh Simons, i cili dha dorëheqjen për t’i hapur rrugë rikthimit të tij në Westminster, duke e cilësuar këtë veprim si një akt të madh sakrifice.
Josh Simons, i cili ishte i pranishëm pranë tij gjatë fjalimit, u përmend disa herë nga Burnham, i cili e falënderoi për vendimin e tij. “Josh Simons bëri diçka jashtëzakonisht vetëmohuese duke dhënë dorëheqjen, dhe unë dua ta falënderoj atë dhe familjen e tij për këtë sakrificë të rëndësishme,” u shpreh Burnham.
Fjalimi i tij u prit me duartrokitje nga mbështetësit, ndërsa fitorja në Makerfield konsiderohet një moment i rëndësishëm për Partinë Laburiste në këtë zonë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




