Karakaçi: Memorandumi me Eni-n hap konkret drejt forcimit të sigurisë energjetike kombëtare
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit me kompaninë italiane Eni S.p.A. përfaqëson një hap konkret drejt forcimit të sigurisë energjetike kombëtare të Shqipërisë.
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së nënshkrimit, ministri Karakaçi theksoi se ky memorandum synon studimin e fizibilitetit për krijimin e kapaciteteve kombëtare për furnizimin dhe magazinimin e produkteve të naftës dhe gazit, në funksion të sigurisë së furnizimit, zhvillimit ekonomik dhe rritjes së rolit të Shqipërisë në rajon.
“Sot shënojmë një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt forcimit të sigurisë energjetike kombëtare dhe ndërtimit të një sistemi energjetik më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe më rezistent ndaj sfidave të së ardhmes”, tha Karakaçi.
Ai shtoi se memorandumit me Eni-n, një nga kompanitë më të rëndësishme energjetike në Europë dhe partner afatgjatë në Shqipëri, parashikon studimin e mundësive për krijimin e një hub-i energjetik për të gjitha produktet energjetike në vend.
“Ky memorandum parashikon studimin dhe bërjen e mundur, në faza të ndryshme, të projektit strategjik, vlerësimin e mundësive për furnizimin e tregut shqiptar me produkte energjetike, mbështetjen e stoqeve strategjike kombëtare, si dhe analizimin e modeleve të mundshme të bashkëpunimit për menaxhimin e këtyre stokimeve”, deklaroi ministri.
Karakaçi nënvizoi se për qeverinë shqiptare siguria energjetike nuk është vetëm një objektiv sektorial, por një komponent themelor i sigurisë kombëtare dhe zhvillimit ekonomik.
“Siguria energjetike nuk mund të mbështetet vetëm te mekanizmat e tregut. Ajo është një përgjegjësi strategjike e shtetit”, theksoi ai, duke shtuar se qeveria po punon paralelisht për diversifikimin e burimeve të energjisë, ku pjesa e energjisë fotovoltaike ka arritur mbi 10% të prodhimit total në pak vite.
Ministri njoftoi gjithashtu se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka finalizuar projektligjin për krijimin dhe menaxhimin e rezervave strategjike të naftës, i cili është gati për t’u dërguar në Parlament. Ky ligj synon kalimin nga logjika e reagimit ndaj krizës, në atë të parandalimit dhe planifikimit afatgjatë.
“Shqipëria po ndërton sot themelet e një sigurie energjetike për dekadat që vijnë”, përfundoi Karakaçi, duke falënderuar Eni-n për partneritetin dhe ekspertizën e saj.
Memorandumi me Eni-n është pjesë e strategjisë më të gjerë të qeverisë shqiptare për rritjen e sigurisë energjetike, diversifikimin e burimeve dhe pozicionimin e vendit si një faktor më aktiv në tregun energjetik rajonal.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




