Përplasje deklaratash mes NATO-s dhe Romës, Ministria e Mbrojtjes në Itali përgënjeshtron shifrat e Mark Rutte-s për operacionin “Epic Fury”

Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, mbi përdorimin e bazave ajrore në Itali për operacionin amerikan “Epic Fury” kundër Iranit, ka ndezur një debat të ashpër politik në Romë. Ndërsa Ministria e Mbrojtjes u shpreh “e habitur” nga komentet dhe akuzoi Rutte-n për përcjelljen e një mesazhi mashtrues, liderët e opozitës italiane janë bërë bashkë për të kërkuar sqarime të menjëhershme përpara Parlamentit nga Kryeministrja, Giorgia Meloni.
Opozita pretendon se deklaratat e kreut të NATO-s konfirmojnë përfshirjen e vendit në konflikt, duke rrëzuar kështu qëndrimet zyrtare të ekzekutivit.
“Sekretari i NATO-s po i shkatërron përrallat e qeverisë,” deklaroi kreu i Lëvizjes “5 Yjet”, Giuseppe Conte, ndërsa Partia Demokratike (PD) në opozitë shtoi se “shqetësimet tona tashmë janë konfirmuar”, duke kërkuar që Meloni të paraqitet urgjentisht në Dhomën e Deputetëve.
Ministria e Mbrojtjes: “Rutte ngatërroi fluturimet, Italia ndalon sulmet kinetike”
Përballë presionit në rritje, Ministria italiane e Mbrojtjes reagoi me një qëndrim mjaft të prerë kritik ndaj shefit të Aleancës Veri-Atlantike. Sipas autoriteteve ushtarake romane, Rutte ka ngatërruar natyrën e misioneve të autorizuara në bazat dypalëshe, duke krijuar një alarm të rremë.
Mbrojtja sqaroi se Roma zbaton me rigorozitet traktatet, por ka një vijë të kuqe të pathyeshme: ndalimin e çdo aktiviteti sulmues (kinetik) nga territori i saj.
“Është e habitshme që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, i cili nuk kishte të bënte fare me Operacionin Epic Fury, po ofron një rindërtim që përcjell një mesazh krejtësisht mashtrues duke ngatërruar llojet e fluturimeve të autorizuara. Italia autorizon vetëm fluturimet që parashikohen nga traktatet dhe që përjashtojnë plotësisht aktivitetet kinetike,” thuhet në reagimin zyrtar të Ministrisë.
Ushtria italiane specifikoi se mbështetja e vetme e dhënë ka qenë e natyrës teknike dhe logjistike. Sipas tyre, çdo kërkesë e SHBA-së që binte jashtë kësaj kornize është refuzuar automatikisht:
“Vetëm aktivitetet teknike dhe logjistike, jo-kinetike, u autorizuan brenda procedurave të përcaktuara nga marrëveshjet ekzistuese. Sa herë që bëhej një kërkesë që binte jashtë këtij fushëveprimi, siç dihet mirë, Italia nuk jepte autorizim.”
NATO tërhiqet dhe korrigjon deklaratën
Pasi Roma zyrtare deklaroi se “një hetim më i thelluar në burim nga Rutte do të kishte mjaftuar për të pasur një pamje të vërtetë”, stafi i NATO-s nxitoi të korrigjonte deklaratën e dhënë fillimisht për median amerikane Fox News.
Në një prononcim për agjencinë e lajmeve ANSA, zëdhënësja e NATO-s pranoi implicitish se shifra prej 500 avionësh e përmendur nga Rutte nuk nënkuptonte avionë luftarakë në misione sulmi.
“Lloji i mbështetjes për të cilën po fliste Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte është logjistika ose asistenca teknike”, saktësoi zëdhënësja, në përpjekje për të shuar sherrin diplomatik me Italinë, e cila mbetet një nga aleatët kyç në krahun jugor të Aleancës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




