Mbikëqyrja institucionale në Kuvend, Komisioni miraton projektrezolutat për katër institucione të pavarura

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, nën drejtimin e kryetarit Fatmir Xhafaj, ka zhvilluar një mbledhje maratonë dëgjimore me drejtuesit e katër institucioneve të rëndësishme të pavarura në vend. Fokus i diskutimeve ishte shkalla e zbatimit të rekomandimeve të lëna nga Kuvendi për vitin 2025 dhe shqyrtimi i projektrezolutave përkatëse përpara kalimit të tyre në seancë plenare.
Pas miratimit të procesverbalit të mbledhjes së kaluar, komisioni u ndal në analizën e performancës, transparencës dhe përputhshmërisë së këtyre strukturave me detyrimet që rrjedhin nga procesi i integrimit europian.
Autoriteti i Konkurrencës dhe Prokurimi Publik nën skaner
Seanca e parë dëgjimore u fokusua te veprimtaria e Autoritetit të Konkurrencës, ku ishin të pranishëm kryetari Denar Biba dhe anëtarët e komisionit, Rezana Konomi e Durim Kraja. Bashkërelatorja e çështjes, deputetja Ilva Gjuzi, vuri në dukje disa problematika specifike që kërkojnë vëmendje gjatë vitit 2026.
“Kemi hasur problematika në drejtim të analizës për matjen e performancës, treguesve mbi kohëzgjatjen e trajtimit të ankesave, monitorimeve dhe hetimeve, si dhe mbi ndikimin real që këto hetime kanë në treg dhe tek konsumatorët,” nënvizoi Gjuzi, duke sugjeruar edhe riformulimin e dy rekomandimeve pas propozimeve të Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Më pas, komisioni shqyrtoi veprimtarinë e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), në prani të nënkryetarit Fiorent Zguro dhe anëtarëve Kreshnik Ternova e Anila Malaj. Deputetja Gjuzi specifikoi se vlerësimi për KPP-në u përqendrua në tre shtylla: ndikimi i shërbimeve te qytetarët, shkalla e përmbushjes së rezolutave dhe progresi në kuadër të integrimit në BE. Nga ana e tij, Zguro mbrojti punën e institucionit duke vënë theksin te rritja e transparencës dhe digjitalizimi i shërbimeve të ankesave.
Dokumentet e Ish-Sigurimit dhe Krimet e Komunizmit
Gjysma e dytë e mbledhjes iu dedikua institucioneve që merren me zbardhjen e së shkuarës historike. Gjatë shqyrtimit të projektrezolutës së Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), e ftuar ishte kryetarja Gentiana Sula, e shoqëruar nga anëtarët e bordit.
Në cilësinë e bashkërelatores, deputetja Romina Kuko paraqiti një vlerësim mbi shkallën e zbatimit të detyrave të lëna, duke propozuar shtesa dhe riformulime të rekomandimeve për vitin pasues, ndërsa Sula raportoi mbi hapat e hedhur në rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Mbledhja u përmbyll me Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), ku raportoi kryetari i bordit, Mentor Beqa. Deputetja Evis Kushi, si bashkërelatoret e pikës së fundit, bëri një ekspoze të ecurisë së institucionit.
Në përfundim të diskutimeve për secilën pikë, Komisioni miratoi të katër projektrezolutat e institucioneve në fjalë, duke i hapur rrugë dërgimit të tyre për votim final në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



