Dermatofitoza nga kafshët tek njeriu, mjeku: Diagnostikim dhe trajtim në kohë për të parandaluar përhapjen

Aktualitet | 4 muaj më parë

Dermatofitoza, e njohur ndryshe si myku i lëkurës, është një infeksion që prek kafshët, por mund të transmetohet edhe te njerëzit. Mjeku veteriner Joni Kopliku shpjegon mënyrat e përhapjes së kësaj sëmundjeje dhe rreziqet që paraqet për shëndetin.

“Dermatofitoza, e njohur ndryshe si myku i lëkurës, shfaqet kryesisht te kafshët e rrugës, veçanërisht te kotelet dhe këlyshët. Ajo krijohet nga lagështira dhe gjithashtu transmetohet nga kafshë të tjera që janë të infektuara paraprakisht, përmes kontaktit të drejtpërdrejtë. Sëmundja përhapet nëpërmjet sporeve, të cilat mund të kontaminojnë si njeriun, ashtu edhe kafshët e tjera”, tha mjeku.

Si mund të dallohet dermatofitoza te kafshët dhe te njerëzit?

“Te kafshët, dermatofitoza shfaqet me zona rrethore ku ka rënë qimja dhe vërehet skuqje e lëkurës. Ndërsa tek njerëzit shfaqet me zona të skuqura në lëkurë dhe shoqërohet shpesh me kruarje të tepërt. Ekzistojnë produkte specifike për trajtimin dhe dezinfektimin e mykut. Është e rëndësishme të tregohet kujdes i veçantë për higjienën. Njerëzit duhet të kujdesen për larjen e duarve dhe të shmangin kontaktin e drejtpërdrejtë me këlyshë apo kotele të rrugës, pasi infeksioni mund të transmetohet lehtësisht”.

Trajtimi i duhur dhe respektimi i masave parandaluese mbeten thelbësore për kufizimin e përhapjes së sëmundjes.

Kontakti i afërt me kafshët e infektuara dhe mungesa e higjienës favorizojnë përhapjen e dermatofitozës.

Specialistët këshillojnë kontroll periodik të kafshëve shtëpiake dhe paraqitjen te mjeku ose veterineri sapo të shfaqen shenjat e para të infeksionit.

Gazetare: B. Cina  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme