“Luftërat t’i zgjidhim si njerëz, jo si kafshë të armatosura”/ Papa Leoni XIV: Uniteti i familjes njerëzore vjen përpara popujve apo shteteve të veçanta

Papa Leoni XIV ka bërë një thirrje të fortë për paqe, duke deklaruar se konfliktet duhet të zgjidhen “si qenie njerëzore dhe jo si kafshë, sado të pajisura me armë të teknologjisë së lartë”.
Gjatë predikimit në Meshën e mbajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit, e cila hapi zyrtarisht Konsistorin e Jashtëzakonshëm, mbledhjen e kardinalëve të thirrur nga Papa për të diskutuar çështje të rëndësishme të Kishës, Ati i Shenjtë theksoi se lufta nuk është kurrë e denjë për njeriun dhe nuk mund të bekohet nga Zoti.
“Lufta nuk është kurrë e denjë për njeriun dhe nuk është kurrë e bekuar nga Zoti, sepse Krijuesi na ka pajisur me inteligjencë dhe vullnet për t’i zgjidhur konfliktet si qenie njerëzore dhe jo si kafshë, ndonëse të pajisura me armë hiper-teknologjike. Uniteti i familjes njerëzore vjen përpara popujve dhe shteteve të veçanta. Nuk është vetëm një fakt biologjik, por një parim etik”, u shpreh Papa.
Sesioni i parë i punimeve me kardinalët iu kushtua situatës ndërkombëtare dhe konflikteve të hapura në botë.
Papa Leoni XIV theksoi gjithashtu se paqja është “një detyrë e drejtësisë”, pasi njerëzimi përbën një familje të vetme. Ai kujtoi edhe mësimet e Shën Palit VI, duke nënvizuar se Kisha duhet të vazhdojë rrugën drejt “qytetërimit të dashurisë”, një koncept i prezantuar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë si alternativë ndaj përballjeve ideologjike dhe garës së armatimeve.
Sipas Papës, dëshmia e krishterë duhet të jetë një profeci për një botë të re, duke promovuar zhvillimin e plotë njerëzor. Ai theksoi se Kisha nuk mban anë në konfliktet politike, por u drejtohet të gjithëve me të njëjtën thirrje për kthim te Zoti dhe shpëtim.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




