Kërcënimi i Trump me tarifat, BE: Do i përgjigjemi shpejt dhe me vendosmëri

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do të përgjigjet shpejt nëse presidenti amerikan Donald Trump realizon kërcënimin e tij për të vendosur një tarifë 100% mbi importet nga vendet e BE-së, si kundërpërgjigje ndaj taksave mbi shërbimet dixhitale.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian theksoi se BE-ja është e gatshme të mbrojë të drejtat e saj dhe autonominë rregullatore.
“Nëse ndiqet, BE-ja do të përgjigjet shpejt dhe vendimtare për të mbrojtur të drejtat e saj dhe autonominë rregullatore”, tha ai.
Kërcënimi i fundit i Trumpit vjen pasi ai postoi në rrjetet sociale se çdo vend që vendos taksë mbi shërbimet dixhitale për kompanitë amerikane do të përballet menjëherë me një tarifë 100% mbi të gjitha mallrat e dërguara në Shtetet e Bashkuara. Ai theksoi se kjo masë do të anulojë çdo marrëveshje tregtare të mëparshme. Trump synon veçanërisht vendet evropiane që po diskutojnë zbatimin e taksave të tilla.
Në maj 2026, BE-ja dhe SHBA-ja arritën një marrëveshje tregtare që kufizon tarifat në shumicën e eksporteve evropiane në 15%. Megjithatë, taksat dixhitale mbetën jashtë marrëveshjes dhe vazhdojnë të jenë një pikë e nxehtë mosmarrëveshjeje.
Disa vende evropiane, si Franca, Italia dhe Spanja, kanë implementuar prej kohësh taksa mbi shërbimet dixhitale (Digital Services Tax – DST), të cilat synojnë kompanitë e mëdha teknologjike si Google, Meta, Amazon dhe Apple. Këto taksa synojnë të sigurojnë që këto kompani paguajnë një pjesë të drejtë të taksave në vendet ku operojnë dhe fitojnë nga përdoruesit evropianë, pavarësisht se selia e tyre është kryesisht në SHBA.
Administrata Trump i konsideron këto taksa si “diskriminuese” ndaj kompanive amerikane dhe si një formë barriere jotarifore tregtare. Presidenti Trump ka paralajmëruar vazhdimisht se do të përdorë tarifa si armë për të mbrojtur interesat amerikane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



