Baçi: Berishës i ka ikur sheshi. PD nuk e mbështeti protestën për 8 ditë

Politikë | 4 muaj më parë

Analisti Agim Baçi deklaroi në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se Partia Demokratike dhe kryetari i saj Sali Berisha kanë pësuar një goditje të rëndë politike pas protestave të fundit, duke humbur kontrollin mbi sheshin dhe rolin e menaxhuesit të pakënaqësisë popullore.

“Nga krahu tjetër, Partia Demokratike – domethënë Berisha – me momentin e fillimit të protestës është rrëzuar politikisht. Është rrëzuar pretendimi i tij që qytetarët nuk ngrihen, është rrëzuar pretendimi i tij që qytetarët nuk reagojnë dhe i ka ikur sheshi në këtë pikë”, tha Baçi.

Ai shtoi se mesazhi i qartë i protestës për Berishën është:“Jo, mesazhi është i qartë: po ngrihemi sepse ti nuk na frymëzon, por kemi problematikat tona në këtë lloj pike”.

Sipas analistit, kjo situatë i ka dhënë qetësi kryeministrit Edi Rama, ndërsa opozita ka humbur dy pika kyçe.

“Po flas për partitë e mëdha… Po flas për PD-në që ka humbur të qenit menaxhere e zemërimit popullor dhe ka humbur të qenit frymëzim, që ajo të bëhet instrument – siç e ka detyrë opozita – në duart e qytetarëve, që përmes kësaj force të mendojnë rotacionin. Nuk e ka, nuk e ka”, u shpreh Baçi.

Baçi nënvizoi se protesta ka sjellë edhe një mësim të rëndësishëm për legjitimitetin politik.

“Asnjëri nuk mund të thotë që është padroni i votuesve të mi sepse votuesit lëvizin. Jo, ti votohesh herë në katër vjet, por legjitimiteti jote verifikohet çdo ditë”, ndërsa ndaloi edhe te paradoksi i pozicionit të PD-së ndaj protestës: “Ka një paradoks për shembull… ndodhi një gjë e çuditshme, s’ka ndodhur në vend të botës që opozita të jetë kundër protestës. Vetëm në Shqipëri ndodhi që ja ishte kundër protestës”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme