Qeveria themelon IQMT-në, reformohet mbikëqyrja e tregut për sigurinë e konsumatorit dhe pronësinë intelektuale

Aktualitet | 4 muaj më parë

Në një lëvizje për të forcuar mbrojtjen e konsumatorit dhe për të garantuar standardet e tregtimit, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për krijimin e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT). Ky institucion i ri qendror, i cili do të zëvendësojë Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), do të funksionojë në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.

Vendimi, i cili mbështetet në ligjin e ri “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë” (Nr.99/2024), synon të riorganizojë tërësisht mënyrën se si kontrollohen produktet joushqimore në tregun vendas, duke unifikuar praktikat e mbikëqyrjes dhe duke shtuar efikasitetin.

Misioni dhe fushat e përgjegjësisë

Fokusi kryesor i IQMT-së do të jetë siguria e produkteve joushqimore dhe garantimi i të drejtave të autorit. Sipas dokumentit zyrtar, detyrat e inspektoratit shtrihen në disa sektorë jetikë për mbrojtjen e qytetarëve dhe biznesit të ndershëm.

“IQMT-ja ka si mision garantimin e sigurisë së produkteve për konsumatorët, të vendosura në treg dhe në shërbim… si dhe të monitorojë respektimin e të drejtave të pronësisë intelektuale,” përcaktohet në kreun e parë të vendimit.

Në kompetencat e këtij institucioni do të përfshihen: Inspektimi i produkteve joushqimore për të garantuar sigurinë e tyre; garantimi dhe respektimi i të drejtave të autorit dhe pronësisë industrial; kontrolli i instrumenteve matëse dhe etiketimit për konsumin e energjisë së produkteve; inspektimi i standardeve të detergjentëve të vendosur në treg.

Organizimi dhe drejtimi i institucionit

IQMT do të organizohet si një drejtori e përgjithshme me juridiksion në të gjithë territorin e vendit. Buxheti i tij do të përbëjë një zë të veçantë brenda buxhetit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.

Në krye të kësaj strukture do të jetë Kryeinspektori Qendror, emërimi i të cilit bëhet drejtpërdrejt nga Kryeministri, me propozim të ministrit përgjegjës.

“Kryeinspektori qendror përgjigjet e raporton për veprimtarinë inspektuese përpara ministrit përgjegjës për tregtinë dhe inspektorit të përgjithshëm,” saktëson vendimi, duke theksuar përgjegjësinë e tij në unifikimin e praktikave të mbikëqyrjes dhe informimin e publikut.

Faza tranzitore dhe fati i punonjësve

Për të mos krijuar vakum institucional, qeveria ka përcaktuar një periudhë kalimtare prej gjashtë muajsh për përfundimin e procedurave të riorganizimit. Gjatë kësaj kohe, ISHMT-ja ekzistuese do të vazhdojë të ushtrojë funksionet e saj derisa IQMT të jetë plotësisht operativ.

Në lidhje me stafin aktual, vendimi qartëson se nëpunësit civilë me funksione inspektuese do të trajtohen bazuar në ligjin e ri të inspektimeve, ndërsa punonjësit mbështetës (funksionet horizontale) dhe ata me Kod Pune do të transferohen ose do të trajtohen sipas legjislacionit në fuqi për ristrukturimin e administratës shtetërore. Përgjatë këtij 6-mujori, Inspektorati i Përgjithshëm do të kryejë edhe përditësimet e nevojshme teknologjike në sistemin qendror E-Inspektimi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme