Ministri Lamallari paralajmëron “zero tolerancë” për parkimet e gabuara: Ligji është i barabartë për të gjithë

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar ndaj fenomenit të parkimeve të gabuara në zonat urbane, duke e cilësuar këtë si një shkelje të rëndë të normave të bashkëjetesës qytetare. Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, ministri konfirmoi se Policia e Shtetit ka nisur një fushatë të intensifikuar për ndëshkimin e këtyre shkeljeve, të cilat janë ndër ankesat më të shpeshta që mbërrijnë në adresën e tij.
Në reagimin e tij, ministri vuri theksin te barazia para ligjit, duke u dërguar një mesazh të qartë atyre që abuzojnë me hapësirat publike.
“Një nga ankesat më të shpeshta që kam marrë në adresën time elektronike apo në telefon janë pikërisht parkimet e gabuara nëpër lagje e rrugë, të cilat bëhen shqetësim për banorët e komunitetit dhe përdoruesit e tjerë të mjeteve,” shprehet Lamallari.
Ai e përkufizoi parkimin e pakujdesshëm si një sjellje shpërfillëse ndaj rregullave dhe komunitetit, duke garantuar se forcat e rendit nuk do të bëjnë asnjë lloj diferencimi gjatë zbatimit të Kodit Rrugor.
“Një sjellje aspak civile, shpërfillëse ndaj normave ligjore dhe rregullave të bashkëjetesës në komunitet. Policia e Shtetit nuk do të tolerojë asnjë shkelje, pavarësisht se kush është shkelësi. Nuk ka rëndësi mbiemri që mban, pozicioni që pretendon apo marka e makinës që drejton. Para ligjit, të gjithë janë të barabartë dhe rregullat vlejnë njësoj për secilin,” theksoi Ministri i Brendshëm.
Bashkëngjitur deklaratës, ministri publikoi edhe një video-material që pasqyron aksionet e fundit të Policisë së Shtetit në terren, ku shihen masat administrative dhe gjobat e vendosura ndaj drejtuesve që kanë bllokuar hapësirat e përbashkëta apo trotuaret.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




