Mision masiv shpëtimi në kanionin e Gjipesë, helikopteri, FNSH-ja dhe alpinistët në përpjekje për të shpëtuar një turist polak
Një operacion i ndërlikuar dhe në shkallë të gjerë shpëtimi po zhvillohet aktualisht në kanionin e Gjipesë, në jug të vendit. Një turist me kombësi polake ka mbetur i bllokuar në thellësi të kanionit pasi ka pësuar një dëmtim të rëndë në këmbë si pasojë e rrëzimit.
Për shkak të thyerjes së skajshme të terrenit dhe mureve të larta shkëmbore, ndërhyrja e parë e forcave të policisë lokale dhe shërbimit zjarrfikës në rrugë tokësore ka qenë plotësisht e pamundur. Përballë kësaj situate kritike, autoritetet kanë ngritur në fluturim një helikopter të forcave të shpëtimit, i cili po bën përpjekje të njëpasnjëshme për t’u afruar në zonën ku ndodhet i dëmtuari. Në këtë mision emergjence janë angazhuar trupa të shumta operacionale, duke përfshirë:
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH)
Skuadra të specializuara alpinistësh
Ekipet e shërbimit zjarrfikës
Mjekë të urgjencës
Operacioni po ndiqet dhe koordinohet drejtpërdrejt nga vendngjarja prej Prefektes së Qarkut Vlorë, e cila po mban nën monitorim sinkronizimin e të gjitha institucioneve të përfshira për të garantuar nxjerrjen e sigurt të turistit.
Kanioni i Gjipesë, ndonëse një nga destinacionet më tërheqëse për të apasionuarit pas natyrës dhe ngjitjeve sportive, paraqet shpesh rreziqe të larta për shkak të shtegut të vështirë, çka ka bërë që autoritetet të bëjnë thirrje të vazhdueshme për kujdes maksimal nga ana e vizitorëve të huaj dhe vendas. Operacioni për evakuimin e turistit polak vazhdon.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



