Firmoset Memorandumi i Bashkëpunimit për industrinë detare, Rama: Miratojmë sot aktin normativ për financimin e mbrojtjes, rritet buxheti në 2.6% të PBB. Hapen 500 vende pune të mirëpaguara
Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të martë në Pashaliman të Vlorës në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit mes gjigantit italian të industrisë detare Fincantieri, kompanisë shtetërore KAYO dhe Shkollës Industriale “Pavarësia” në Vlorë.
Sipas Ramës, ky memorandum synon zhvillimin e praktikave profesionale dhe krijimin e mundësive të punësimit në fushën e ndërtimit dhe industrisë detare, duke u konsideruar një hap i rëndësishëm në përgatitjen e brezit të ri të specialistëve shqiptarë që do të mbështesin zhvillimin e qendrës së re industriale detare në Pashaliman, si dhe forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama e cilësoi këtë si fillimin e një kapitulli të ri për bazën e Pashalimanit dhe për industrinë ushtarake shqiptare.
“Është një histori e re që fillon për bazën e Pashalimanit. Nënshkruajmë një marrëveshje mes Fincantierit, KAYO-s dhe Shkollës Industriale. Kjo marrëveshje hap një fazë të re. Një kantier detar fillon në klasë, fillon aty ku ngrihet kapitali njerëzor që vihet në dispozicion të një historie sipërmarrjeje qindra miliona eurosh”, deklaroi Rama.
Kryeministri bëri të ditur se qeveria do të miratojë gjatë ditës një akt normativ për rritjen e financimit të mbrojtjes, në përputhje me angazhimet e Shqipërisë në NATO. Rama theksoi se Shqipëria ndodhet në një etapë të re të zhvillimit të industrisë ushtarake, ndërsa marrëveshja me Fincantieri është vetëm një nga projektet që do të pasojnë.
“Pas këtij takimi, qeveria do të miratojë një akt normativ ku Shqipëria do të angazhojë gjithë financimin e nevojshëm për të arritur objektivin e përcaktuar nga anëtarësia jonë në NATO, duke e çuar në 2.6% të buxhetit të përgjithshëm të shtetit shpenzimin për mbrojtje. Përfituesit e drejtpërdrejtë do të jenë ata që janë pjesë e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes. Sot jemi në një fazë të re ku industria ushtarake po rilind dhe marrëveshja me Fincantieri nuk është e para dhe as e fundit nga marrëveshjet që po firmosen për t’i dhënë industrisë sonë ushtarake të gjithë komponentët e vet dhe për të pasur një sistem industrial ushtarak që funksionon nga uniformat deri te mjetet më të sofistikuara të Forcave të Armatosura”, deklaroi Kryeministri.
Ai nënvizoi gjithashtu rolin e kompanisë shtetërore KAYO në këtë projekt, duke theksuar se shteti shqiptar do të jetë pjesë aktive jo vetëm në aspektin institucional, por edhe financiar. Kryeministri bëri të ditur se projekti do të krijojë 500 vende të reja pune, të cilat do të kërkojnë specialistë të kualifikuar dhe do të jenë ndër vendet më të mirëpaguara në sektor.
“Në qendër të këtij procesi është një kompani e re publike, KAYO, e cila përfaqëson interesin e shtetit dhe të publikut, duke e bërë shtetin shqiptar pjesëmarrës jo vetëm fizikisht, por edhe financiarisht dhe duke krijuar mundësi për përfitim të ndërsjellë ekonomik me partnerët. Janë 500 vende pune që krijohen nga ky partneritet. Janë 500 vende pune që kërkojnë njerëz të kualifikuar dhe ekspertizë. Janë vende pune të mirëpaguara në sistemin e ri që po ndërtohet”, u shpreh ai.
Sipas Ramës, punonjësit që do të angazhohen në këtë industri do të kenë edhe përgjegjësi të veçanta për shkak të natyrës së sektorit.
“Ata që do të përfshihen në këtë sipërmarrje nuk do të jenë thjesht persona që zotërojnë një zanat, por do të jenë pjesë e sistemit të mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë. Do të kenë akses në informacione të ndjeshme dhe shërbimi në këto sipërmarrje ka një komponent të patjetërsueshëm patriotik”, theksoi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



