Protesta para Parlamentit, Koçiu: Dhuna e papranueshme, një grup njerëzish s’mund të marrin peng jetën publike
Zv.kryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas incidentit të ndodhur gjatë protestës përpara Kuvendit, duke e cilësuar dhunën verbale dhe fizike ndaj efektivëve si të papranueshme dhe jashtë çdo kornize demokratike.
Sipas Koçiut, sjellje të tilla agresive dëmtojnë vetë thelbin e protestës dhe nuk përfaqësojnë qytetarët që synojnë të shprehin pakënaqësinë në mënyrë paqësore.
Ajo theksoi se përpjekjet për destabilizim dhe krijim kaosi, të nxitura sipas saj nga një grup i vogël personash me agjenda politike, nuk do të kenë asnjë ndikim në jetën publike dhe politike të vendit.
“Dhuna verbale dhe fizike e shfaqur sot jashtë Kuvendit është e papranueshme dhe jashtë çdo kornize demokratike. Sjellje të tilla agresive nuk i bëjnë nder as protestës dhe as kujtdo që pretendon të përfaqësojë qytetarët e këtij vendi. Skenarët për destabilizim dhe kaos, të orkestruar nga një grup i vogël njerëzish që i vendosin agjendat e tyre politike mbi interesin e vendit, nuk mund dhe nuk do ta marrin kurrë peng jetën publike dhe politike të Shqipërisë”, shkruan Koçiu.
Koçiu u shpreh se këto tentativa do të dështojnë, duke nënvizuar se qytetarët shqiptarë zgjedhin rrugën e zhvillimit dhe integrimit në Bashkimin Europian.
“Këto tentativa do të dështojnë gjithmonë, ashtu siç kanë dështuar edhe në të kaluarën, duke u lënë njollën e turpit dhunuesve dhe braktisjen e qytetarëve, të cilët sot, më shumë se kurrë, zgjedhin rrugën e zhvillimit dhe të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, shkruan ajo.
Gjatë ditës së sotme, protestuesit rrethuan godinën e Kuvendit, duke hedhur vezë në drejtim të automjeteve të policisë dhe të deputetëve, si dhe duke tentuar të çanin kordonin e forcave të rendit. Situata u shoqërua edhe me përplasje fizike mes protestuesve dhe policisë.
Si pasojë e tensioneve, policia shoqëroi disa protestues, të cilët më pas u lanë të lirë, ndërsa u raportuan edhe 4 efektivë të lënduar gjatë përplasjeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




