“K’cimi i Tropojës”, shtohet interesi për të mësuar kërcimin magjik

Kulturë | 4 muaj më parë

Tupanat kanë ndezur sheshin e Bajram Currit, ku grupmosha të ndryshme janë mbledhur për të dhënë një performancë të veçantë të kërcimit të Tropojës. Për pjesëmarrësit, kërcimi është shumë më tepër sesa një traditë, është vetë jeta.

“Kërcimi i Tropojës është një ndër më të veçantët që ka Shqipëria. Është më i bukuri që mund të ekzistojë ndonjëherë. Është një traditë e trashëguar brez pas brezi dhe ne e mbajmë gjallë si traditë”, shprehen ata.

Edhe të rinjtë po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e kësaj trashëgimie. Sara tregon se kërcimi i Tropojës po përfshin çdo vit më shumë fëmijë, nxënës dhe të rritur.

“Është shumë mirë, sepse tregon që e duan Tropojën dhe kulturën tonë”, thotë ajo.

Koreografi Skënder Haklaj, i cili përgatiti dhe ndoqi procesin e certifikimit të kërcimit të Tropojës dhe përfshirjen e tij në UNESCO, thotë se pas këtij momenti historik është rritur ndjeshëm interesi për ta mësuar dhe për t’u bërë pjesë e tij.

“Futja e kërcimit të Tropojës në UNESCO i dha një hov të jashtëzakonshëm. Rriti interesin, sidomos te të rinjtë dhe fëmijët. Që nga mosha katër apo pesë vjeç vijnë në dyert tona për të mësuar”, shprehet Haklaj.

Sipas tij, kërkesat vijojnë të shtohen, jo vetëm nga të rinjtë e zonës, por edhe nga diaspora.

“Kanë shpërthyer kërkesat nga rinia. Kemi kërkesa nga diaspora, kemi kërkesa edhe nga çiftet që vijnë nga jashtë për t’u martuar. Ka shumë interes për shkak të vlerave të veçanta të trashëgimisë, identitetit dhe autenticitetit që mbart kërcimi i Tropojës”, thotë ai.

Kërcimi i Tropojës u bë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s një vit më parë dhe tashmë gëzon mbrojtjen e këtij institucioni kulturor të Kombeve të Bashkuara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme