Rama: Përfitimi i bonusit për pensionistët nuk ka lidhje me zgjedhjet, dyfishojmë mbështetjen për fëmijët me aftësi të kufizuara

Aktualitet | 4 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me pensionistët, deklaroi se qeveria ka vendosur të shpërndajë një bonus të ri për pensionistët, duke theksuar se kjo masë nuk lidhet me zgjedhjet, por me angazhimin e qeverisë për të mbështetur këtë kategori.

“Qeveria vendosi të japë një tjetër bonus për pensionistët. Ju kujtohet që vitin e shkuar ju tha se po japim bonusin për fushatë. Ne s’kemi fushatë dhe zgjedhje këtë vit. Kështu që bonusi s’ka lidhje me gjë tjetër, veçse me vëmendjen që ju kemi premtuar se do ta kemi vijimisht”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, një pjesë e të ardhurave shtesë të buxhetit erdhën si pasojë e rritjes së çmimit të naftës për shkak të luftës dhe qeveria ka vendosur që këto të ardhura t’u rishpërndahen pensionistëve.

“Ka një komponent që nuk e kishim parashikuar në të ardhurat tona, që ishte rritja e të ardhurave nga rritja e çmimit të naftës. E gjithë ajo pjesë që erdhi nga rritja e çmimit për shkak të luftës do e merrni ju, do e marrin pensionistët”, tha ai.

Rama njoftoi gjithashtu se ka nisur zbatimi i premtimit për dyfishimin e mbështetjes financiare për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara.

“U zotuam se do të dyfishojmë mbështetjen për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara. U mor vendimi dhe fillon zbatimi për ta dyfishuar, dhe kjo do të jetë e garantuar në çdo buxhet”, deklaroi kryeministri.

Ai bëri të ditur gjithashtu se shteti do të marrë përsipër pagesën e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara.

Një tjetër masë e paralajmëruar nga Rama ishte rritja e garancisë sovrane në 50 milionë euro për bizneset e vogla dhe të mesme.

“Rritja e ekonomisë na ka dhënë mundësi të rrisim garancinë sovrane, ta çojmë në 50 milionë euro, që qeveria shqiptare do ta vendosë në dispozicion të bizneseve të vogla dhe të mesme që duan të kenë mbështetje financiare për zgjerimin dhe dyfishimin e ndërmarrjeve të tyre”, u shpreh ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme