Rusia godet Kievin, viktima dhe dhjetëra të plagosur nga sulmet me dronë dhe raketa

Botë | 4 muaj më parë

Forcat ruse zhvilluan një sulm masiv me dronë dhe raketa ndaj kryeqytetit ukrainas gjatë natës, duke vrarë disa persona dhe plagosur dhjetëra të tjerë. Disa lagje të Kievit u evakuuan ndërsa sulmet goditën objekte të banuara në të gjithë qytetin, disa orë pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Rusia po përgatitej për një sulm masiv.

Mes viktimave ka edhe fëmijë, konfirmoi Tymur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të Kievit. “Armiku po synon qëllimisht zonat e banuara dhe po vret civilë”- deklaroi ai. Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia lëshoi gati 500 dronë dhe dhjetëra raketa drejt vendit në një sulm masiv të kombinuar, duke shënjestruar njëkohësisht kryeqytetin nga drejtime të ndryshme, ndërsa shumica e tyre u kapën.

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se shënjestroi me armë precize objektet energjetike në Kiev dhe zona të tjera në përgjigje të sulmeve të fundit ukrainase, por Ukraina pretendoi se objektiv ishin infrastruktura civile dhe godinat e banimit. “Ne kërkojmë përgjigje të forta ndërkombëtare. Jo vetëm duke i dënuar sulmet me fjalë, por edhe veprime konkrete për të ndaluar terrorin rus” – tha Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sybiha, duke paralajmëruar se numri i viktimave ka gjasa të rritet.

Gjatë natës së enjtes, ushtria ukrainase bëri me dije se goditi një nga rafineritë më të mëdha të naftës në Kstovo të Rusisë, dhe gjithashtu një urë hekurudhore, të cilën sipas Kievit, Moska e përdor për aktivitete ushtarake. Rusia njoftoi se kapi dhe shkatërroi 327 dronë të nisur nga Ukraina. Pas sulmeve mes Rusisë dhe Ukrainës, reagoi edhe Polonia, duke aktivizuar avionët luftarakë si masë paraprake për mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme