Përplasjet para Kuvendit, Rama: Protesta e bukur e qytetarisë ia ka lënë vendin filmit të vjetër të konfliktit. Thonjtë e politikës së dështimit po dalin në pah

Politikë | 4 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara para Kuvendit gjatë protestës së zhvilluar këtë të enjte, duke akuzuar kundërshtarët politikë se po e shndërrojnë protestën në një skenar dhune dhe konflikti.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se protesta, e cila sipas tij në fillim kishte karakter qytetar dhe atdhetar, tashmë është zëvendësuar nga “filmi i vjetër i konfliktit”.

“Protesta e bukur e qytetarisë, atdhedashurisë, pastërtisë, ia ka lënë vendin tanimë filmit të vjetër të konfliktit, sherrit, dhunës, ku thonjtë e politikës së dështimit dhe zemërimit po dalin në pah me pisllëkun e tyre karakteristik”, shkruan Rama.

Reagimi i kreut të qeverisë vjen pas incidenteve të ndodhura jashtë godinës së Kuvendit, ku gjatë protestës u shënuan momente tensioni mes protestuesve dhe forcave të rendit. Gjatë incidenteve mbetën të lënduar edhe disa efektivë policie, të cilët dyshohet se janë transportuar për të marrë mjekim, pasi disa prej tyre u goditën me gurë, shishe dhe vezë. Tetë qytetarë janë shoqëruar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme