Përplasjet para Kuvendit, Ministria e Shëndetësisë: Morën trajtim në spital 15 efektivë dhe 4 protestues

Aktualitet | 4 muaj më parë

Ministria e Shëndetësisë ka bërë një përditësim mbi personat e lënduar gjatë protestës së zhvilluar sot para Kuvendit.

Sipas të dhënave zyrtare, në Urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës (SUT) morën trajtim mjekësor 16 persona, mes tyre 14 efektivë të Policisë së Shtetit dhe 2 protestues.

Katër prej efektivëve vijojnë të marrin trajtim mjekësor, ndërsa pjesa tjetër, përfshirë protestuesit, janë larguar nga spitali pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme.

Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) u trajtuan edhe një efektiv policie dhe dy protestues. Sipas autoriteteve shëndetësore, të tre kanë lënë ambientet spitalore pas marrjes së ndihmës mjekësore.

Në total, gjatë protestës morën trajtim mjekësor 19 persona, mes tyre 15 efektivë policie dhe 4 protestues.

Protesta e zhvilluar sot para Kuvendit u shoqërua me incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit. Gjatë tensioneve pati të lënduar nga të dyja palët, ndërsa forcat e rendit ndërhynë me ujë dhe gazlotsjellës për të rivendosur qetësinë dhe për të shpërndarë turmën. Nga ana tjetër nuk munguan dhe hedhja e vezëve dhe gurëve nga ana e protestuesve në drejtim të efektivëve dhe deputetëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme