Hapet Shkolla Kombëtare e Fluturimit, Nufi: Hap strategjik për zhvillimin e kapaciteteve të FA-ve
Në një aktivitet të zhvilluar për hapjen e Shkollës Kombëtare të Fluturimit, Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi e cilësoi këtë nismë si një hap strategjik për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Forcave të Armatosura.
Sipas tij, kjo shkollë nuk duhet parë thjesht si një strukturë e re arsimore, por si një investim afatgjatë në formimin profesional të personelit ushtarak dhe në rritjen e aftësive të vendit në fushën e aviacionit ushtarak dhe sigurisë ajrore.
“Nuk po përuruojmë një strukturë të re arsimore, por po hedhim një gur themeli në fuqizimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura drejt së ardhmes. Krijimi i një kapaciteti të ri strategjik për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare”, u shpreh Nufi gjatë fjalës së tij.
Ai shtoi se të rinjtë që do të formohen në këtë shkollë do të sjellin një vlerë të shtuar për sistemin e përgatitjes së pilotëve, ushtarakëve dhe kontrollorëve të fluturimit, duke e konsideruar këtë një kontribut të drejtpërdrejtë në rritjen e standardeve profesionale.
“Ky investim është një vlerë e shtuar në sigurinë kombëtare, profesionalizimin e Forcave të Armatosura dhe të ardhmen e vendit. Forcat e Armatosura po transformohen me një hap të jashtëzakonshëm. Qeveria mbështet fuqishëm jo vetëm Forcën Detare në Pashaliman, por edhe Forcat e Armatosura në këtë shkollë trajnimi, dhe shumë shpejt edhe Forcat Tokësore, duke shtuar kapacitetet e trajnimit të kapitalit njerëzor. Ky është një transformim rrënjësor në gjithë përbërjen e FA-ve, për të cilin ne jemi krenarë”, theksoi ministri.
Hapja e kësaj shkolle shihet si pjesë e një procesi më të gjerë modernizimi të Forcave të Armatosura, me fokus në rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe teknike, si dhe përgatitjen e brezit të ri të specialistëve në fushën e mbrojtjes dhe aviacionit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




