Sfidon të nxehtin me vrap drejt Kakavijës, 65-vjeçari nga Dukaj i Tepelenës përcjell mesazhin e jetës aktive

Aktualitet | 4 muaj më parë

Vapa për shumicën është një arsye për të qëndruar në hije, por për Ferdinand Varfin është një sfidë që duhet përballuar. Në ditët kur temperaturat kanë prekur vlera ekstreme, 65-vjeçari nga fshati Dukaj i Tepelenës ka zgjedhur të vrapojë nga Tepelena drejt pikës kufitare të Kakavijës.

I apasionuar pas sportit dhe aktivitetit fizik, ai thotë se nuk është hera e parë që ndërmerr nisma të tilla. Për të, vrapi është një mënyrë jetese, një sfidë me vetveten dhe një mesazh se kujdesi për shëndetin nuk njeh moshë.

“Vrapin e kam pasur shumë të dashur që në moshë fëmijërie. Por për shkak të problemeve me shëndetin, sepse vuaja nga sëmundja e astmës dhe nuk i përshtatesha dot rregullave e ligjeve ndërkombëtare. Vitin e kaluar kam bërë 70 km e kam drejt Tepelenës. Me dhjetëra herë kam vrapuar nëpër male. Në ’97-ën kam vrapuar nga Tepelena, andej nga Qeparoi i Sarandës”, tregon ai.

Ai thotë se përgatitja fizike, vullneti dhe pasioni për sportin janë motivimi kryesor për të vazhduar përpara.

“Një shkrimtar i madh ka thënë që jeta është një lodër e vogël. Ndërsa për mendimin tim jeta kënaqësi nuk është pasuri. Nga Tepelena në Gjirokastër e kam bërë për katër orë. Nga këmbë jam dobësuar pak, por nga pjesa e sipërme e trupit mendoj se jam i paarritshëm”, shprehet ai.

Me këtë nismë, 65-vjeçari synon të frymëzojë edhe të rinjtë që ta bëjnë aktivitetin fizik pjesë të përditshmërisë së tyre, duke dëshmuar se mosha nuk është pengesë kur ekziston dëshira për të qenë aktiv. 

Gazetare: L. Koçiu   

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme