Goditet në Rinas tentativa për trafikim droge, sekuestrohen 46 kg kanabis

Një tentativë për trafikim të lëndëve narkotike është goditur në Pikën e Kalimit Kufitar të Aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas, gjatë kontrolleve të ushtruara nga Administrata Doganore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Gjatë kontrollit me skaner të bagazheve të pasagjerëve të një fluturimi me itinerar Toronto–Rinas, u identifikuan dy valixhe me përmbajtje të dyshimtë.
Pas kontrollit fizik të kryer në prani të poseduesve, në bagazhe u gjetën dhe u sekuestruan 46 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis sativa, e ndarë në 89 paketime.
Personat e përfshirë në këtë rast, së bashku me lëndën narkotike të sekuestruar, janë dorëzuar te strukturat e Policisë së Shtetit, ku po vijojnë veprimet procedurale dhe hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Administrata Doganore bëri me dije se mbetet e angazhuar në forcimin e kontrolleve kufitare dhe bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike dhe veprimtarive të paligjshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.







