Vasili: 16 dokumentarë të rinj nga EBU për programacionin e fëmijëve
Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, ka folur mbi zhvillimet në programacionin dedikuar fëmijëve dhe të rinjve, duke e cilësuar këtë segment si një sfidë të përditshme për institucionin.
Ajo u shpreh se RTSH ka ndërmarrë masa të menjëhershme për rikuperimin dhe fuqizimin e kësaj fashe programore, me synimin për ta vendosur në prioritetet kryesore të transmetuesit publik.
Sipas saj, janë realizuar disa prodhime të reja në gjuhën shqipe, mes tyre edhe emisioni “+-18″ i transmetuar në RTSH 2, i cili trajton tema për të rinjtë dhe ka mbuluar mbi 100 çështje deri tani.
Vasili theksoi se RTSH Fëmijë funksionon si kanal 24-orësh dedikuar kësaj grupmoshe, duke transmetuar prodhime të dubluara dhe të përkthyera, si dhe projekte të reja në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.
Ajo përmendi edhe një projekt me EBU-në, një dokumentar që trajton dashurinë e fëmijëve për folklorin, i cili është transmetuar edhe nga ZDF në Gjermani. Po ashtu, RTSH ka siguruar 16 dokumentarë të rinj nga EBU, të cilët do të përshtaten në emisione të veçanta.
Ndër projektet e ardhshme, Vasili njoftoi formatin e ri “Guximtarët e vegjël”, i planifikuar për periudhën shtator–dhjetor 2026, si dhe programin e fundjavës për fëmijë në RTSH, në bashkëpunim me Teatrin e Kukullave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




