Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH: Buxhet i pandryshuar prej më shumë se një dekade, mungojnë fondet për produksione

Aktualitet | 4 muaj më parë

Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, ka vlerësuar bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit, duke theksuar se në kuadër të këtij partneriteti janë realizuar disa produksione të përbashkëta.

Ajo u shpreh se këto projekte kanë qenë të suksesshme dhe kanë sjellë përmbajtje të rëndësishme, ndërsa RTSH ka pasur vetëm gjashtë muaj kohë për të ndërtuar një programacion të ri.

“Bashkëpunim shumë i mirë me Ministrinë e Arsimit, kemi realizuar edhe disa produksione në bashkëpunim me ta. Kanë qenë redaktime mjaft interesante. Dua t’ju kujtoj se kemi pasur mundësi të punojmë vetëm 6 muaj për një programacion të ri”, tha Vasili.

Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH njoftoi gjithashtu se nga muaji shtator është në projekt emisioni i ri “Për një grusht librash”, një quiz që synon të nxisë leximin dhe të rikthejë interesin e fëmijëve për librin, përmes shpërblimit me libra dhe formate edukative.

Sipas saj, temat sociale janë trajtuar gjerësisht në emisionin “+-18”, si dhe në programe të tjera të RTSH-së, ndërsa bashkëpunimi me institucione të ndryshme ka qenë në rritje.

“Kemi në projekt, duke filluar nga shtatori, një emision që titullohet “Për një grusht librash”, një kuiz ku fitohen libra, për t’ju drejtuar asaj audience dhe atij shqetësimi, si dhe për t’ju rikthyer fëmijëve kuriozitetin për librin.

Temat sociale janë trajtuar gjerësisht në emisionin “+-18”, si dhe në çdo emision tjetër në RTSH”, shtoi Vasili.

Megjithatë, ajo theksoi se produksionet televizive kanë kosto të lartë dhe kërkojnë mbështetje më të madhe financiare për të garantuar cilësi dhe shtrirje më të gjerë të interesave publike.

Vasili nënvizoi se financimi i RTSH-së ka mbetur i pandryshuar prej më shumë se një dekade, ndërsa shpenzimet kryesore të institucionit shkojnë për paga, sigurime dhe energji.

“Teknologjia e transmetimit është e vjetëruar dhe RTSH ka nevojë për investime serioze në modernizim,” u shpreh ajo, duke shtuar se fondet që mbeten për produksione janë të pamjaftueshme për kërkesat e një media publike moderne.

“Financimi i RTSH-së ka mbetur i njëjtë prej më shumë se një dekade, me të njëjtin buxhet. Mund të kërkojmë më tepër, por çdo gjë sot kushton. RTSH ka një teknologji shumë të prapambetur, teknologji transmetimi të parinovuar. Pjesën më të madhe të buxhetit e zënë pagat, sigurimet dhe energjia, ndërsa ajo që mbetet për produksione është e pamjaftueshme. Një vëmendje e veçantë është e domosdoshme”, theksoi Vasili.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme