Nga Borova, ambasadori gjerman: Kurrë më për masakra të tilla, Shqipëria ka mbështetjen tonë për BE-në

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në Borovë, ku u nderua kujtimi i viktimave të masakrës së 6 korrikut 1943, gjatë së cilës humbën jetën 107 burra, gra dhe fëmijë.
Në fjalën e tij, Bergner e cilësoi momentin si të dhimbshëm për një ambasador gjerman, duke theksuar përgjegjësinë historike të ushtrisë gjermane për ngjarjen. “Ky është një moment shumë i dhimbshëm për një ambasador gjerman, sepse jemi këtu për të nderuar viktimat e një masakre të kryer nga ushtria gjermane më 6 korrik 1943. Kjo është e dhimbshme për mua, sepse ndaj dhimbjen e banorëve të këtij vendi dhe të familjeve që ende jetojnë me pasojat e asaj ngjarjeje. Shumë prej tyre nuk patën kurrë mundësinë të njihnin gjyshërit, xhaxhallarët, hallat apo vëllezërit e tyre, që nuk arritën të rriteshin. Është e dhimbshme edhe për mua si ambasador, sepse kjo ndodhi në emër të Gjermanisë dhe të popullit gjerman. Por, njëkohësisht, ne duam të shohim drejt së ardhmes. Duhet të kujtojmë emrat e atyre që u vranë dhe të nxjerrim mësime nga historia, në mënyrë që ajo të mos përsëritet”, u shpreh ai, duke shtuar se shumë familje ende jetojnë me pasojat e asaj tragjedie.
Ai theksoi se kujtesa e viktimave duhet të shërbejë si mësim historik për të mos lejuar përsëritjen e krimeve të tilla.
“Ne themi gjithmonë ‘kurrë më’ dhe kjo nënkupton ndërtimin e një shoqërie të bazuar te toleranca, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit”, deklaroi ambasadori, duke shtuar se këto janë edhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.
Bergner ritheksoi gjithashtu mbështetjen e Gjermanisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke vlerësuar angazhimin e vendit në përmbushjen e standardeve të BE-së dhe mbrojtjen e vlerave demokratike.
“Ne mbështesim Shqipërinë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe jemi të lumtur që populli shqiptar është i përkushtuar ndaj këtyre parimeve. Mbështetja jonë është veçanërisht në aspektin teknik të procesit, por vlerësojmë edhe të gjithë ata që në jetën e përditshme mbrojnë sundimin e ligjit, mjedisin dhe vlerat evropiane.
Do të doja të shtoja se kjo është një ditë për të mësuar nga e shkuara, për të nderuar viktimat, për të ndarë dhimbjen me familjet e tyre dhe për të parë përpara”, tha ambasadori.
I pyetur për protestat dhe rastet e dhunës në Shqipëri, ambasadori u shpreh se çdo formë e shoqërisë civile që zhvillohet në përputhje me vlerat evropiane është e mirëpritur, ndërsa theksoi se “protestat e dhunshme nuk janë në përputhje me këto vlera”, duke shtuar se përgjegjësitë për aktet e dhunës duhet të sqarohen.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




