Dhuna mes adoleshenteve, Vangjeli: Kujdes në raportim, Policia kërkon shmangien e videove në rrjet

Aktualitet | 4 muaj më parë

I ftuar në studion e emisionit “Trialog” në RTSH, analisti Lorenc Vangjeli komentoi rastin e rëndë të dhunës mes adoleshentëve, duke theksuar se raportimi i ngjarjeve ku përfshihen të mitur kërkon kujdes të veçantë.

Sipas Vangjelit, bëhet fjalë për një ngjarje që trondit jo vetëm personat e përfshirë dhe familjet e tyre, por edhe gjithë komunitetin. Ai nënvizoi se, për shkak se të gjithë personat e përfshirë janë të mitur, ata gëzojnë mbrojtje të posaçme nga legjislacioni shqiptar dhe konventat ndërkombëtare, të cilat garantojnë ruajtjen e privatësisë dhe ndalojnë publikimin e të dhënave që mund të çojnë në identifikimin ose riviktimizimin e tyre.

“Kjo është një ngjarje më shumë se dramatike, e cila trondit jo vetëm njerëzit e përfshirë, jo vetëm familjet por dhe komunitetin. Kjo është gjithashtu një ngjarje e cila ka një vështirësi të posaçme në raportimin e saj sepse të gjithë personazhet e përfshirë janë të mitur. Për shkak të moshës ato kanë një mbrojtje të veçantë nga ligji shqiptar në mos gaboj i 2017 ligji për të miturit po ashtu dhe nga një sër konventash ndërkombëtare të cilat garantojnë ruajtjen e privatësisë, mungesën e çdo akti gjatë raportimit që do të sillte identifikimin e tyre dhe viktimizimin e tyre. Raportimi për ngjarje të tilla duhet të jetë shumë i kujdesshëm”, u shpreh Vangjeli.

Vangjeli tha se referuar informacionit të deritanishëm, një e mitur ishte ftuar në banesën e një 19-vjeçareje me pretekstin e një sqarimi. Në banesë ndodheshin edhe dy vajza të tjera të mitura, të cilat dyshohet se ushtruan dhunë fizike ndaj saj, ndërsa ngjarja u filmua me telefon celular. Dyshohet se filmimin dhe shpërndarjen fillestare të videos e ka kryer një 19-vjeçare.

Ngjarja ka ndodhur më 8 qershor dhe është denoncuar në polici një ditë më vonë. Fillimisht, policia shoqëroi tre të miturat e përfshira, të cilat u morën në pyetje në prani të psikologut, në përputhje me procedurat ligjore për të miturit.

“Drejtoria e qarkut Fier ka kërkuar bashkëpunim me drejtorinë kibernetike në ministrinë e brendshme për të shmangur të gjitha videot e hedhura në rrjet. Është e vërtet që në fillim ka pasur konfuzion sepse kanë qenë dy ngjarje të cilët i lidhin personazhet por jo i njëjti subjekt krimi. Historia e ritreguar ka të bëjë me tërheqjen e një të miture ftohet në shtëpinë e një vajze më të rritur ajo është 19 vjeç me pretekstin për tu sqaruar, në banesë ndodheshin dhe dy vajza të tjera që ishin vërtet të mitura dhe në xhirimin e kamerës së telefonit ushtrojnë një dhunë barbare ndaj vajzës së tretë. Mendohet se ajo që bëri filmimin dhe e shpërndau videon në një rrjet të ngushtë miqësor ka qenë në një moshë të rritur, diku 19 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në 8 qershor është raportuar në polici një ditë më pas dhe policia e ka marr vërtet shumë seriozisht dhe fillimisht janë shoqëruar 3 të miturat të cilat kanë dhënë deponimet e tyre që për shkak të moshës janë pyetur në prani të psikologut dhe njëra prej tyre ka pasur edhe probleme të tjera dhe fillimisht ngjarja u klasifikua si plagosje e lehtë. Më pas vepra u rëndua dhe shkoi në një vepër tjetër që quhet “heqje e paligjshme e lirisë” sepse e mitura e dhunuar është mbajtur për një kohë të gjatë në banesë”, tha ai.  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme