“Trialog”/Denis Deliu: Samiti i NATO-s kërkon përmbushjen e premtimeve, Europa duhet të rrisë kapacitetet e mbrojtjes
Ish-deputeti dhe eksperti i sigurisë Denis Deliu, i ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, ka komentuar pritshmëritë nga samiti i NATO-s në Ankara dhe sfidat e reja të sigurisë globale.
Deliu u shpreh se samiti është ambicioz për sa i përket përmbushjes së angazhimeve të marra në samitin e kaluar në Hagë të Holandës, ku vendet anëtare të Aleancës ranë dakord për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje.
Sipas tij, objektivi është që 3.5% për Forcat e Armatosura, ndërsa 1.5% për infrastrukturën civile dhe ushtarake që mund të mbështesë kapacitetet mbrojtëse në rast të një konflikti të mundshëm.
“Samiti është ambicioz për sa i përket arritjes së premtimeve që janë bërë vitin e kaluar në samitin Hagës në Holandë. Aty ishte një kusht i domosdoshëm që vendet e NATO-s të rrisnin shpenzimet në 5%. Ku 3.5% do ishin për Forcat e Armatosura, 1.5% do të ishin për infrastrukturë civile dhe ushtarake që do të ndihmonte FA në rast të ndonjë konflikti global. Disa vende realisht sot kanë rritur investimet në mbrojtje dhe kështu është dhe Shqipëria. Ngjarjet e fundit sidomos lufta në Ukrainë por dhe në operacione të tjera që janë zhvilluar, SHBA nuk janë shumë të kënaqura për sa i përket mbështetjes që NATO i ka dhënë kryesisht SHBA. Ideja dhe në strategjinë e sigurisë kombëtare të ShBA ka qenë që Europa të krijojë dhe të zhvillojë një forcë moderne për mbrojtjen e saj. Vendimet e fundit të presidentit Trump kanë qenë vendime që e kanë zgjuar Europën për sa i përket rishikimit të vendosjes së trupave por dhe rishikimit të mbrojtjes dhe krijimit të kapaciteteve të veta për sa i përket mbrojtjes në Europë”, u shpreh Deliu.
Ai nënvizoi se Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar prej kohësh që Europa të krijojë dhe zhvillojë kapacitete më të mëdha të mbrojtjes së saj. Sipas tij, vendimet e fundit të presidentit amerikan Donald Trump kanë nxitur Europën të rishikojë vendosjen e trupave, strategjitë e mbrojtjes dhe krijimin e kapaciteteve të reja.
Deliu tha se samiti synon që NATO të jetë më e përgatitur për sfidat e ardhshme, duke parë veçanërisht kërcënimet nga Rusia dhe Kina.
“Ky samit kërkon mbajtjen e premtimit për sa i përket investimit ndërkohë që kryesisht duke parë konfliketet e fundit, kryesisht SHBA kërkojnë nga NATO që të jetë e gatshme ti përgjigjet sfidave të ardhshme dhe është ë rëndësishme që të shikohet si do të trajtohet kërcënimi rus por dhe kinez. Ndryshe nga viti i kaluar, Rusia shihet si një rrezik ekzistencial shumë afër Europës ndërkohë që Kina shihet më shumë si një rrezik me mjete hibride, luftës kibernetike dhe hapësinore”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




