Rama takim me Erdogan në Ankara, diskutime për bashkëpunimin dypalësh

Politikë | 4 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Ankara të Turqisë, ka zhvilluar një takim zyrtar me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Rama u prit në Pallatin Presidencial, Cumhurbaşkanlığı Külliyesi, ku zhvilloi bisedime me presidentin turk.

Gjatë takimit, Rama dhe Erdogan zhvilluan bisedime së bashku me delegacionet përkatëse, ku në fokus ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe çështje me interes të përbashkët. Rama shoqërohej në këtë vizitë nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, si dhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Vizita e Ramës në Ankara u zhvillua në kuadër të pjesëmarrjes së tij në samitin dyditor të NATO-s, ku liderët e vendeve aleate ranë dakord për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, rritjen e investimeve në mbrojtje, modernizimin ushtarak, koordinimin e politikave të sigurisë, si dhe vijimin e mbështetjes për Ukrainën.

Një nga vendimet kryesore të samitit ishte edhe përcaktimi i Shqipërisë si vendi pritës i Samitit të NATO-s në vitin 2027.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme