Prezantimi i programit “Rilindja 2.0”, Rama: 1.5 miliardë euro për një fazë të re të zhvillimit urban të Shqipërisë

Politikë | 4 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama prezantoi programin “Rilindja 2.0”, një program ambicioz zhvillimi që synon të çojë më tej transformimin urban të vendit, me një objektiv financimi prej 1.5 miliardë eurosh.

Rama u shpreh se programi i ri vjen si përgjigje ndaj një faze të re të zhvillimit të Shqipërisë, ku standardet dhe pritshmëritë e qytetarëve janë rritur.

Sipas kryeministrit, ndryshimi kryesor mes programit të parë të Rilindjes Urbane dhe fazës së re lidhet me nevojën për të kaluar përtej transformimit fillestar dhe për të krijuar një model më të avancuar zhvillimi.

Teksa përmendi një protestë të zhvilluar në një bashki, kryeministri theksoi se progresi i arritur në vitet e fundit ka sjellë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si shoqëria i percepton nevojat dhe standardet e jetesës.

“Sa më shumë përmirësohen kushtet, aq më shumë bie në sy si e papranueshme ajo që mundon”, theksoi Rama.

“Një program ambicioz për të kaluar te’ Rilindja 2.0’, duke e vendosur në dispozicion të këtij kapërcimi një objektiv prej 1.5 mld eurosh. Ajo që mendova se është e rëndësishme ta ndaj sot lidhet me jo thjesht dallimin mes këtij programi të  ri dhe programit të parë të Rilindjes Urbane, por me arsyet  që na çojnë në këtë program. Sa më shumë përmirësohen kushtet, aq më shumë bie në sy si e papranueshme ajo që mundon. Kjo nuk është mosmirënjohje është pritshmëri për standarde të tjera. Shoqëritë e varfra, kemi qenë, por nuk jemi më, janë shumë më tolerante ndaj mungesave sepse në shoqëritë  e varfra dominon mendësia që ka edhe më keq.

Ndërkohë që shoqëritë e zhvilluara, apo që hynë një fazë zhvillimi ku gjërat që deri dje dukeshin që nuk ishin pjesë e mundshme e jetës bëhen realitet, janë gjithmonë e më intolerante ndaj mungesave. Suksesi, rezultati, ndryshimi, nuk ul pritshmëritë, i rrit. Kur zhvillimi hyn në fazën e pakthyeshmërisë si rasti ynë, ka edhe më mirë dhe kjo është shenja më e sigurt që ne sot jemi zyrtarisht në një fazë të re. Më kujtohet që kur pas zgjedhjeve të fundit unë, në një mbledhje të mbyllur këmbëngula që 33 mandatet janë një bekim po aq sa janë një mallkim, më thoshin pse mallkim. Sepse jemi në një fazë të re të marrëdhënies së çdokujt që jeton në këtë vend me veten, me vendin me shtetin. Programi është një nga instrumentet që adreson këtë fazë të re duke nisur nga prezumimi që Rilindja Urbane që ne njohim e ka kryer funksionin e saj. Tani duhet kaluar përtej”, tha kryeministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme