Restaurohet filmi “Guximtarët”, rikthehet në jetë një prej klasikëve të kinemasë shqiptare

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF) ka përfunduar restaurimin digjital të filmit artistik “Guximtarët” (1970), me regji të Gëzim Erebarës, duke i rikthyer publikut një nga veprat më të dashura të kinematografisë shqiptare në një cilësi të re pamore dhe teknike.
Restaurimi përfaqëson një hap të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kombëtare të filmit. Përmes këtij procesi, një prej filmave që ka lënë gjurmë në historinë e kinemasë shqiptare u ofrohet brezave të rinj në standarde bashkëkohore, ndërsa garantohet edhe ruajtja e tij për të ardhmen.
Sipas AQSHF-së, restaurimi digjital i veprës është realizuar në studiot Augustus Color në Romë, me mbështetjen financiare të partnerëve, të cilët kanë kontribuar në rikthimin në jetë të një prej filmave më të rëndësishëm të fondit kinematografik shqiptar.
Arkivi thekson se investimet në restaurimin e filmave janë thelbësore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duke bërë të mundur që veprat ikonike të kinemasë shqiptare të vazhdojnë të jenë të aksesueshme dhe të vlerësohen edhe nga brezat e ardhshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




