Fondi i Rindërtimit, Qeveria alokon rreth 475 milionë lekë për banesat në Kurbin dhe Shijak

Qeveria ka miratuar dy vendime të reja që lidhen me përdorimin e Fondit të Rindërtimit për vitin 2026, duke alokuar një vlerë totale prej afërsisht 475 milionë lekësh (pa TVSH) për bashkitë Kurbin dhe Shijak. Këto fonde do të shërbejnë për financimin e procesit të rindërtimit nga e para, si dhe për riforcimin e banesave individuale të dëmtuara rëndë nga fatkeqësitë natyrore.
Rindërtimi nga e para i banesave individuale
Vendimi i parë përcakton përdorimin e një fondi prej 418,097,430 lekësh për ato objekte që janë klasifikuar si të pabanueshme dhe që kërkojnë rindërtim total. Sipas dokumentit zyrtar, ky fond do të përdoret “për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte, që duhen rindërtuar nga e para, në bazë të aktekspertizave të thelluara, në bashkitë Kurbin dhe Shijak”.
Ndarja e këtij buxheti specifikon se pjesa dërrmuese do t’i kalojë Bashkisë së Kurbinit me 407,196,804 lekë (pa TVSH), ndërsa Bashkisë së Shijakut i transferohen 10,900,626 lekë (pa TVSH).
Riforcimi i godinave me shkallë dëmtimi DS4
Paralelisht, përmes një vendimi të dytë, qeveria ka miratuar një fond shtesë prej 57,478,717.28 lekësh (pa TVSH), i cili do të dedikohet specifikisht për ndërhyrjet e thella në strukturat ekzistuese. Bëhet fjalë për objektet që nuk kanë nevojë të rindërtohen nga themelet, por kërkojnë rikonstruksion të plotë.
Teksti i vendimit saktëson destinacionin e këtyre fondeve “për financimin e riforcimit të banesave individuale për ata individë, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë, që rezultojnë me shkallë dëmi DS4 dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni”.
Nga ky fond për riforcim, Bashkia e Kurbinit përfiton 43,220,255.28 lekë (pa TVSH), ndërkohë që për Bashkinë e Shijakut janë alokuar 14,258,462 lekë (pa TVSH).
Administrimi dhe burimi i financimit
Për të dyja vendimet, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar se efekti financiar do të përballohet nga shpenzimet e miratuara për fondin e rindërtimit të buxhetit të vitit 2026. Këto shuma financiare do t’u kalojnë dy njësive të qeverisjes vendore në formën e “transfertës së pakushtëzuar”.
Për zbatimin e këtyre dy vendimeve, të cilat hyjnë në fuqi menjëherë dhe botohen në Fletoren Zyrtare, janë ngarkuar drejtpërdrejt Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, si dhe vetë bashkitë përfituese, Kurbin e Shijak.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




