Kuvendi mblidhet në seancë plenare, në fokus financat, bujqësia dhe hekurudha Tiranë-Durrës

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet këtë të enjte në orën 10:00 në seancë plenare, me një rend dite prej 24 pikash, ku në fokus do të jenë interpelanca me ministrin e Financave, Petrit Malaj, shqyrtimi i disa projektligjeve të rëndësishme dhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.
Pika më e debatueshme e seancës pritet të jetë interpelanca e kërkuar nga deputetja demokrate Jorida Tabaku me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Më pas, deputetët do të shqyrtojnë projektligje që lidhen me sektorin e bujqësisë, përfshirë dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore, censin e bujqësisë, mbrojtjen e tokës bujqësore dhe akuakulturën, si edhe ndryshime në ligjin për menaxhimin e kimikateve dhe atë për librin.
Në rendin e ditës është përfshirë edhe ratifikimi i marrëveshjes së huas me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e lidhjes hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Deputetët do të votojnë gjithashtu marrëveshjen e bashkëpunimit teknik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, si dhe Konventën për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil.
Seanca do të vijojë me shqyrtimin e një sërë projektrezolutash për veprimtarinë gjatë vitit 2025 të institucioneve si KQZ, Banka e Shqipërisë, RTSH, AMA, AKEP, AMF, ERE dhe Enti Rregullator i Ujit, ndërsa në fund janë parashikuar diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




