Përvetësuan 69 milionë lekë të destinuara për pensione gjatë periudhës prill-maj 2026, arrestohen tre zyrtare të Postës Shqiptare në Durrës

Aktualitet | 4 muaj më parë

Tre punonjëse të filialit të Postës Shqiptare në Durrës kanë rënë në prangat e policisë, pasi dyshohen se kanë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj, të destinuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale në degët e Shijakut dhe Krujës.

Në pranga ranë E. M., 41 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare Durrës; V. D., 59 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë shefe e financës në filial; P. D., 39 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë arkëtare/llogaritare.

Sipas Policisë, ndalimi i tyre u bë në funksion të një procedimi penal të regjistruar nga Prokuroria për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimet paraprake dyshohet se gjatë muajve prill dhe maj 2026, tre zyrtaret nuk kanë arkëtuar në arkën e degëve të Shijakut dhe Krujës shumën prej 69 milionë lekësh të rinj, fond i cili ishte planifikuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave. Sipas dyshimeve, shuma është përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme nga të arrestuarat.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila po vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme