Kuvendi Kombëtar i PD-së zgjodhi drejtuesit e rinj, Berisha : Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Politikë | 4 muaj më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përshëndetur drejtuesit e rinj të zgjedhur në strukturat drejtuese të partisë, duke e cilësuar procesin e zhvilluar në Këshillin Kombëtar si një dëshmi të demokracisë së brendshme dhe të ripërtëritjes së forcës politike. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Partia Demokratike mbetet e bazuar mbi parimin e votës së lirë, të cilën e konsideroi themelin e organizimit dhe funksionimit të saj.

Kreu i demokratëve uroi tre nënkryetarët e rinj të partisë, Belind Këlliçin, Nikola Kedhin dhe Erisa Bajazitin, të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar, si dhe Flamur Nokën, i cili u rikonfirmua në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm. Berisha përgëzoi gjithashtu Klevis Balliun për zgjedhjen në postin e Sekretarit Organizativ.

Sipas tij, drejtimi i ri i Partisë Demokratike përfaqëson një kombinim të përvojës dhe figurave të reja, duke reflektuar synimin për të forcuar strukturat e partisë.

“Shqiptarët kanë parë dhe shohin një forcë politike që ka vendosur votën e lirë në themel të ndërtimit dhe funksionimit. Ka një ripërtëritje të madhe me personalitete ndër më të shquarat e fushave të tyre në drejtimin e PD-së. Kjo dëshmon vendosmërinë e kësaj partie për ripërtëritjen, potencialet e saj shumë të mëdha dhe votën e lirë si mekanizëm themelor të funksionimit të saj”, deklaroi Berisha.

Deklarata e kreut të demokratëve vjen pak orë pasi Këshilli Kombëtar përmbylli procesin e zgjedhjes së strukturave të reja drejtuese, duke emëruar tre nënkryetarët, Sekretariatin e ri dhe Komisionin e Apelimit të Partisë Demokratike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme