Kapri: I vetmi vend që s’kemi hekurudhë funksionale. Karakaçi: Elektrifikim i plotë i hekurudhës Tiranë-Durrës brenda 2027-ës

Politikë | 4 muaj më parë

Diskutimet në seancën e sotme plenare mes deputetit të Partisë “Mundësia” Erald Kapri dhe Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi janë zhvendosur te projekti për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës. Deputeti Kapri ka kërkuar informacion nga ministri Karakaçi mbi afatin përfundimtar të hekurudhës pasi sipas tij, ish-ministrja Balluku premtoi përfundimin e projektit në vitin 2027.

Kapri deklaroi se Shqipëria është u vetmi vend i cili nuk ka një hekurudhë funksionale.

“I vetmi vend që s’kemi hekurudhë funksionale. Para 3 vitesh u premtua linjë funksionale hekurudhore Tiranë-Rinas. I vetmi vend që s’ka lidhje të tille me aeroportin e vetëm kombëtar që kemi. Z. Ministër kur do jetë gati hekurudha nga Tirana në Rinas dhe nga Rinasi drejt Durrësit?”, deklaroi Kapri.

Nga ana e tij, ministri Karakaçi sqaroi se hekurudha Tiranë-Durrës ashtu sikurse është bërë me dije, do të përfundojë brenda vitit 2027. Ai bëri me dije se punimet civile kanë përfunduar, sistemet e sinjalizimit janë drejt finalizimit dhe stacionet e reja po ndërtohen.

“Marrëveshja që do prezantoj lidhet me elektrifikimin e hekurudhës Tiranë-Durrës. Projekti është elektrik.

Ka lidhje me BERZH, pasi ka financuar projektin që në fillesat e veta. Punimet civile në hekurudhë kanë përfunduar, sistemet e sinjalizimit drejt finalizimit, stacionet e reja po ndërtohen. Me miratimin e kësaj marrëveshje nis faza e elektrifikimit. Procedura garuese e zhvilluar nga BERZH është përfunduar dhe në lidhje të kontratës. Ajo ka një afat 12 mujor për të zhvilluar, jemi brenda 2027 për përfundimin dhe elektrifikimin e hekurudhës”, deklaroi ministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme