Përshtati banesën për thertore dhe mbetjet i hidhte në lumin Vjosë, arrestohet 62-vjeçari në Përmet. Procedohen dy veterinerë

Aktualitet | 4 muaj më parë

Një 62-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Përmet, pasi dyshohet se kishte përshtatur një ambient të banesës së tij në fshatin Qilarisht si thertore të paligjshme dhe mbetjet e therjes i shkarkonte në lumin Vjosë, duke shkaktuar ndotje të mjedisit.

Gjatë kontrollit në pronën e shtetasit me iniciale A. L., u zbulua një ambient i përshtatur si thertore për bagëti të imta, ku u gjetën dhjetëra kafshë në proces therjeje, si dhe të tjera të therura. Po ashtu, u sekuestruan dhjetëra matrikuj bagëtish, të dyshuara si të falsifikuara.

Hetimet zbuluan gjithashtu një tubacion përmes të cilit mbetjet e therjes derdheshin direkt në lumin Vjosë, duke ndotur ujërat dhe mjedisin përreth.

AKU bllokoi menjëherë ambientin ku ushtrohej aktiviteti i paligjshëm dhe gjobiti pronarin me 200 mijë lekë të rinj.

62-vjeçari u arrestua për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale dhe ushqimore”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Ndotja e ujërave”.

Ndërkohë, janë proceduar penalisht edhe dy veterinerë, L. D., 54 vjeç, dhe Y. H., 66 vjeç, të dy banues në Përmet, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”, pasi, sipas Policisë, nuk kanë ushtruar kontrollet dhe nuk kanë marrë masat ligjore për bagëtitë e 62-vjeçarit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme