Opozita rikthehet në Kuvend, përplasje me mazhorancën për rendin e ditës dhe ligjin për investimet strategjike
Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë nisi me debate mes mazhorancës dhe opozitës, e cila u rikthye në sallën plenare pas disa javësh mungesë. Përplasjet u përqendruan te rendi i ditës, shqyrtimi i nismave ligjore dhe kërkesat e opozitës për futjen e projektligjeve të saj në procedurë parlamentare.
Në seancën e sotme janë parashikuar shqyrtimi i Raportit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025, projektligji “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHЕВ)”, si dhe disa projektrezoluta për veprimtarinë e institucioneve të pavarura dhe organeve të drejtësisë.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, propozoi që projektligjet që lidhen me Kapitullin 17 të negociatave me Bashkimin Europian të shqyrtohen së bashku në seancën e 23 korrikut, për të zhvilluar një diskutim të plotë mbi paketën ligjore.
“Bazuar në Rregulloren e Kuvendit, duke qenë se ligji për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit është një ligj që ka të bëjë me detyrat dhe punën që po bën qeveria dhe grupi ynë negociator për Kapitullin 17, dhe meqenëse janë edhe disa projektligje të tjera që ndërlidhen me Kapitullin 17, propozoj që t’i bashkojmë të gjitha në një seancë”, tha Balla.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi që në rendin e ditës të përfshihen edhe nismat ligjore të propozuara nga deputetët e opozitës.
“Keni 7 javë që mbani të bllokuara 7 iniciativa të deputetëve të opozitës. Nuk janë disa të privilegjuara dhe disa jo”, deklaroi Bardhi.
Kritika ndaj drejtimit të Kuvendit pati edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili akuzoi kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, se po pengon të drejtat e opozitës.
“Do mbetesh në historinë e këtij vendi si vasali më i shpifur i Edi Ramës, si armik i egër i Kushtetutës dhe të drejtave kushtetuese të deputetëve, si armik i egër i procesit të integrimit të Shqipërisë. Ka një muaj që janë dorëzuar amendamentet për amendimin e ligjeve, të cilat BE, KE dhe Parlamenti Europian kërkojnë të anulohen dhe të amendohen”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se ndryshimet ligjore kërkohen edhe nga ajo që e cilësoi si një protestë e fuqishme pas viteve ’90, duke akuzuar mazhorancën se po i injoron kërkesat e opozitës.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, iu përgjigj kritikave duke deklaruar se ndryshimet në rendin e ditës nuk bëhen në mënyrë arbitrare, por përmes votimit të deputetëve.
Pas debateve, deputetët miratuan ndryshimet në rendin e ditës së seancës plenare.
Balla: Po përgatisim ligj të ri për investimet strategjike
Gjatë diskutimeve, Taulant Balla u ndal edhe te ligji për zonat e mbrojtura dhe ai për investimet strategjike, duke deklaruar se mazhoranca po punon për një ligj të ri në këtë fushë.
“Jemi të gatshëm në çdo moment të dialogojmë me ata që kanë shqetësime, me të gjitha ankesat dhe zemëratën e tyre lidhur me mënyrën se si duhet ta bëjmë detyrën më mirë, si duhet të parandalojmë çdo formë abuzimi me detyrën dhe ndaj çdo zyrtari që abuzon me mandatin përfaqësues. Ky është dallimi ynë i madh”, deklaroi Balla.
Ai theksoi se qeveria po përgatit një kuadër të ri ligjor për investimet strategjike.
“Duhet ta keni të qartë. Ne jemi duke punuar për një ligj të ri për investimet strategjike. Se kur e vendosim dhe se kur votojmë, është një çështje që e cakton vota”, tha kreu i grupit parlamentar të PS.
Balla iu përgjigj edhe opozitës për rolin në vendimmarrje, duke theksuar se shumica parlamentare përcaktohet nga vota e qytetarëve.
“Kur të keni 71 deputetë këtu në sallë, do të vendosni ju. Deri atëherë është rrugë e gjatë”, përfundoi Balla.
Rendi i ditës:
- Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 16.7.2026.
- Njoftime.
- Raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025.
- Projektligji “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHЕВ)”.
- Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2025”.
- Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2025”.
- Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2025”.
- Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025”.
- Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2025”.
- Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025”.
- Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2025”.
- Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




