PD bllokon Foltoren për Avokatin e Popullit, Peleshi ndërpret seancën

Tensione janë shënuar në seancën plenare të Kuvendit kur do të raportonte Avokati i Popullit për veprimtarinë e institucionit në vitin 2025.
Pasi kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, prezantoi pikën e rendit të ditës për raportimin e Avokatit të Popullit, Endri Shabani, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kundërshtoi praninë e tij në seancë, duke e cilësuar zgjedhjen e tij antikushtetuese.
“Nuk mund ta provokoni opozitën duke sjellë për të raportuar në këtë seancë një njeri që është zgjedhur në kundërshtim flagrant me Kushtetutën. Zotëria, në një falsifikim të pastër të procedurave parlamentare, ka keqpërdorur vullnetin e deputetëve të opozitës për të uzurpuar një pozicion kushtetues. Për sa kohë kjo çështje është në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, të shkojë të mbajë fjalim te partia e vet, por jo të vijë këtu si Avokat i Popullit”, deklaroi Bardhi.
Ai shtoi se opozita nuk e njeh Shabanin si Avokat të Popullit, duke e akuzuar se nuk ka ushtruar funksionin e tij në mënyrë të pavarur.
“Nuk kemi nevojë të dëgjojmë një njeri që s’ka ngritur kurrë zërin gjithë këto muaj, është sjellë si një ushtar partie dhe asnjë ditë të vetme si Avokat i Popullit. Largojeni nga salla e Parlamentit! Keni shkelur Kushtetutën, grupi ynë parlamentar i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Sa kohë Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dhënë një vendim, respektoni këtë sensibilitet të opozitës”, u shpreh ai.
Ndërkohë, në momentin kur Endri Shabani do të ngjitej në Foltore për të paraqitur raportin, deputetët e Partisë Demokratike rrethuan dhe bllokuan podiumin e Kuvendit, duke pamundësuar vijimin e seancës.


Për shkak të situatës së krijuar, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vendosi të ndërpresë punimet e seancës plenare për 5 minuta.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




