Ministri Salla në Peqin: Bashkëpunimi i fermerëve po zgjeron eksportet vendase

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi një vizitë në Bashkinë Peqin, ku së bashku me kryetarin e bashkisë, Bukurosh Maçi, u ndal në pikën e grumbullimit të Fation Terbumit, një sipërmarrje që shërben si urë lidhëse mes fermerëve të zonës dhe tregjeve vendase e ndërkombëtare.
Gjatë vizitës, ministri vlerësoi modelin e bashkëpunimit të kësaj pike grumbullimi, e cila, përveç tregtimit të prodhimit të fermës së saj, bashkëpunon ngushtë me fermerët e Bashkisë Peqin, duke krijuar një zinxhir të qëndrueshëm vlere për prodhimet bujqësore të zonës.
Nga kjo pikë grumbullimi, produktet Made in Albania eksportohen në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, vendet e Ballkanit dhe më gjerë në tregun europian, duke dëshmuar potencialin në rritje të bujqësisë shqiptare.
Ministri Salla theksoi se organizimi i fermerëve në shoqëri bashkëpunimi po krijon më shumë mundësi për rritjen e prodhimit, garantimin e cilësisë dhe zgjerimin e tregjeve. Ai nënvizoi gjithashtu se skema e kompensimit në masën 10% të vlerës së faturave të shitjes po nxit formalizimin e sektorit, rrit të ardhurat e fermerëve dhe forcon konkurrueshmërinë e prodhimit vendas, duke mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



