Ambasadori i BE-së mbyll mandatin/Gonzato: Ky vend do të mbetet në zemrën time. Shihemi në BE

Aktualitet | 3 muaj më parë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka ndarë një mesazh në përfundim të mandatit të tij trevjeçar, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend që po afrohet gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian.

Në një reagim në rrjetet sociale, Gonzato shprehu mirënjohjen për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë, duke theksuar se angazhimi i tij gjatë këtyre viteve është udhëhequr nga vlerat evropiane.

Gonzato falënderon kryeministrin Edi Rama për dekorimin me “Yllin e Madh të Medaljes së Mirënjohjes”, një vlerësim i dhënë në emër të Republikës së Shqipërisë.

“Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë shumë më tepër për mua sesa një treg apo një ekonomi. Bëhet fjalë për njerëzit dhe vlerat që ndajmë: lirinë, barazinë, respektin për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.

Këto vlera më kanë udhëhequr gjatë tre viteve të mia në Shqipëri. Jam mirënjohës për të gjithë shqiptarët e jashtëzakonshëm që takova gjatë rrugës.

Jam mirënjohës që kam qenë pranë tyre, ndërsa Shqipëria po i afrohet qëllimit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ne kemi qenë kërkues por të drejtë, kemi bërë thirrje që të gjithë të jenë pjesë e këtij udhëtimi, një udhëtim drejt një shoqërie ku të gjithë mund të luajnë rolin e tyre, ku institucionet mbrojnë të drejtat e qytetarëve individualë, ku brezi i ri ka një fjalë në formësimin e së ardhmes së këtij vendi të bukur.

Faleminderit@ediramaalqë më nderuat në emër të Shqipërisë me Yllin e Madh të Medaljes së Mirënjohjes. Ky vend do të mbetet në zemrën time për pjesën tjetër të jetës sime. Shihemi në BE”, ka shkruar Gonzato.

Silvio Gonzato u nominua si ambasador i BE-së në Shqipëri, i cili morri zyrtarisht detyrën më 1 dhjetor 2023 duke zëvendësuar Christiane Hohmann.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme