3 vite burg për thirrjet kundër pllakës së Erdoganit në Laç, gjykata dënon në mungesë mirditorin për nxitje të urrejtjes

Gjykata e Lezhës ka dënuar me 3 vite burg një 42-vjeçar nga Mirdita për tentativën e heqjes së pllakës së nderimit për presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, e vendosur në lagjen e rindërtuar nga qeveria turke në qytetin e Laçit.
Leon Molla u shpall fajtor për veprën penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, ndërsa hetimet për këtë çështje nisën në shkurt të vitit 2022 nga Prokuroria e Lezhës.
Sipas dosjes hetimore, përmes videomesazheve dhe postimeve të publikuara në rrjetin social Facebook, Leon Molla ka bërë thirrje për heqjen e pllakës, duke nxitur edhe vendosjen e lëndës plasëse për ta shkatërruar atë.
42-vjeçari jeton në Francë që prej vitit 2012 dhe rezulton në kërkim ndërkombëtar. Më herët, ai është dënuar në mungesë për ngjarjet e dhjetorit 2017, kur gjatë një proteste në Mirditë u shkatërrua flamuri turk. Megjithatë, ai nuk e ka vuajtur dënimin, pasi autoritetet franceze nuk kanë pranuar ekstradimin e tij në Shqipëri.
Pas shpalljes së vendimit të ri, Leon Molla reagoi publikisht, duke e cilësuar dënimin si një cenim të lirisë së shprehjes. Ai deklaroi se vendimi lidhet me qëndrimet e tij publike për heqjen e pllakës së Presidentit Erdogan në Laç dhe pretendoi se po përballet me një ndjekje të vazhdueshme penale për shkak të bindjeve dhe deklaratave të tij.
Në reagimin e tij, Molla shprehet se drejtësia nuk duhet të përdoret për të ndëshkuar opinionin politik apo kritikën publike, ndërsa kritikon edhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Gazetar: Elvis Hila
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




