Shkodër, shtohen kontrollet për mishin/Shërbimi veterinar monitoron edhe pikat kufitare gjatë sezonit veror
Sezoni veror ka rritur ndjeshëm kontrollet në terren veçanërisht për konsumimin e mishit. Shërbimi veteriner në Shkodër ka dyfishuar numrin e inspektorëve në terren duke monitoruar proceset para dhe pas therjes.
Sipas përgjegjësit të këtij shërbimi Mark Preçi, çdo mish i dalë nga thertoret është I kontrolluar.
“Stina e verës, me problematikat e veta, detyron edhe shërbimin veterinar të shtojë masat kontrolluese, kryesisht në thertore. Për këtë arsye, në shumë raste kemi dyfishuar numrin e veterinerëve që kryejnë kontrollin e kafshëve para therjes. Kontrolli vazhdon edhe pas therjes dhe mbulohet edhe gjatë ditëve të pushimit. Kështu, mishi që del nga thertoret dhe mban vulën e thertores është plotësisht i kontrolluar dhe nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin e konsumatorëve”, u shpreh Preçi.
Po ashtu në bashkëpunim me institucionet e tjera po mbahen në monitorim edhe opikat kufitare veçanërisht ajo e Hanit të Hotit.
“Ne kemi komunikim të vazhdueshëm, sidomos për kafshët që importohen. Kryhen të gjitha procedurat normale të inspektimit dhe nuk ka probleme në këtë drejtim. Këto kafshë sigurohen nga zona të sigurta, nga të cilat lejohet importi. Për këtë arsye, nuk ka asnjë rrezik që ato të përcjellin sëmundje nga vendi i origjinës te bagëtitë tona”, tha ai.
Autoritetet theksojnë se kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë gjatë gjithë sezonit veror, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore për qytetarët dhe pushuesit.
Gazetar: M Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




