Tentativa për marrjen e llogarive WhatsApp, Policia thirrje qytetarëve: Mos klikoni në linke të dyshimta

Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për rritjen e tentativave për marrjen e kontrollit të llogarive WhatsApp përmes mesazheve dhe lidhjeve mashtruese.
Sipas njoftimit të policisë, janë konstatuar raste kur përdoruesve u dërgohen linke me pretendime të ndryshme, si pjesëmarrje në konkurse online apo konfirmime veprimesh, me qëllim marrjen e kodit 6-shifror të verifikimit të aplikacionit.
Pasi përdoruesi vendos këtë kod, autorët e mashtrimit mund ta përdorin atë për të regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër dhe për të marrë kontrollin e saj.
Sakaq, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, edhe kur ato dërgohen nga persona të njohur. Gjithashtu, qytetarët këshillohen të mos ndajnë me askënd kodin e verifikimit të WhatsApp dhe të aktivizojnë funksionin “Two-Step Verification” (Verifikimi me dy hapa).
Në rast se dyshohet se një llogari është komprometuar, policia rekomandon ndërhyrjen e menjëhershme për rikuperimin e saj dhe njoftimin e kontakteve përkatëse.
“Mbrotja e të dhënave tuaja nis me kujdesin tuaj”, apelon Policia e Shtetit, duke theksuar se vigjilenca mbetet mbrojtja më e mirë ndaj mashtrimeve kibernetike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




