Operacioni “Plazhi i lirë” në Golem, sekuestrohen 116 çadra dhe 232 shezlongë të vendosur pa leje
Policia ka vijuar kontrollet përgjatë vijës bregdetare në kuadër të operacionit të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë në plazhin e Golemit, janë hequr dhe sekuestruar 116 çadra dhe 232 shezlongë të vendosur pa autorizimin përkatës në hapësira publike.
Sipas Policisë së Shtetit, pajisjet ishin vendosur në mënyrë të paligjshme nga tre shtetas, ndaj të cilëve janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
U proceduan shtetasit A. B., 54 vjeç, D. K., 38 vjeç dhe F. D., 24 vjeç, të tre banues në Kavajë.
Policia bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjithë vijën bregdetare, me fokus lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që ushtrohen gjatë sezonit veror.
Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve dhe subjekteve që të respektojnë hapësirat publike dhe të mos kryejnë ndërhyrje të paligjshme, pasi çdo shkelje do të pasohet me masa administrative dhe penale sipas legjislacionit në fuqi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



