Shikimi kërcënohet nga ekranet – Shtohen problemet te fëmijët, kontrollet e hershme janë thelbësore
Numri i fëmijëve që paraqiten me probleme të shikimit është në rritje, ndërsa mjekët specialistë e lidhin këtë fenomen me përdorimin e zgjatur të telefonave apo stilin e jetesës.
“Në përgjithësi, rritja e problemeve tek fëmijët lidhet më shumë me rritjen e numrit të fëmijëve që kanë miopi. Kjo lidhet shumë me stilin e jetesës. Fëmijët tani qëndrojnë shumë më gjatë pranë ekraneve, kalojnë shumë orë të mbyllur në shtëpi dhe kjo ka sjellë rritjen e incidencës së miopisë tek fëmijët e vegjël.” – tha Besa Voka, oftalmokirurge.
Specialistët rekomandojnë që kontrolli i parë i syve të kryhet që në moshë të vogël.
“Kontrolli i parë i rëndësishëm për vlerësimin e fëmijëve kryesisht bëhet nga mosha tre deri në moshën gjashtë vjeç. Atëherë kemi mundësi që të bëjmë matje të shikimit, të gjejmë numrat nëse fëmijët kanë lindur me anomali të refraksionit, t’i trajtojmë ato, të trajtojmë edhe syrin dembel. Kjo është mosha më e mirë për gjetjen, zbulimin dhe trajtimin e syrit dembel, sepse është edhe mosha më efektive e mbylljes me fasho dhe aktivizimit të syrit që është dembel, për ta bërë atë të shikojë 100% pas vendosjes së syzeve.”
Mjekët apelojnë që prindërit të mos presin derisa problemet të bëhen të dukshme, por t’i kryejnë kontrollet në kohë, pasi kujdesi i hershëm është mënyra më e mirë për të mbrojtur shëndetin e syve të fëmijëve.
Gazetare: I. Bajraktari
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




