Ermal Beqiri u ndalua në Francës, Braho: Nuk ka qenë veprim i rastësishëm, ishte i lokalizuar prej disa javësh. Do kërkojmë sekuestrimin e pasurive

Aktualitet | 3 muaj më parë

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho, deklaroi se ndalimi i Ermal Beqirit nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës nuk ishte një operacion i rastësishëm, por rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm mes autoriteteve shqiptare dhe atyre franceze.

Në një takim me gazetarët, Braho bëri të ditur se Beqiri ishte lokalizuar prej disa javësh dhe mbahej nën monitorim nga autoritetet franceze.

“Nuk ka qenë një veprim i rastësishëm. Ne kemi qenë prej javësh në komunikim me autoritetet franceze. Ai ishte i lokalizuar prej disa javësh. Ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ishte në monitorim“, u shpreh kreu i SPAK.

Braho njoftoi gjithashtu se SPAK do të ndërmarrë hapat ligjorë për sekuestrimin e pasurive që Ermal Beqiri zotëron në Francë.

“Do të kërkojmë sekuestrimin e pasurive në shtetin francez“, deklaroi ai.

Beqiri u ndalua me 28 korrik në veri të Parisit, pasi avioni i vogël privat me të cilin po fluturonte u interceptua nga avionët luftarakë francezë mbi centralin bërthamor të Penly. Ndërkohë ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, i akuzuar për një sërë veprash penale, mes tyre “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme